Kishte planifikuar sulme terroriste, gjykata merr vendimin për ‘shokun’ e Lavdrim Muhaxherit

LAJME

Gjykata Themelore në Prishtinë, Departamenti Special ka caktuar masën e arrestit shtëpiak ndaj të pandehurit K.H, për shkak të dyshimit të bazuar se ka kryer veprat penale Përgatitja e veprave terroriste ose veprave kundër rendit kushtetues dhe sigurisë së Republikës së Kosovës dhe veprën penale Organizimi dhe pjesëmarrja në grup terrorist.

Gjykata e ka aprovuar si të bazuar kërkesën e Prokurorisë, për caktimin e masës së arrestit shtëpiak për të pandehurin K.H, andaj të njëjtit i është caktuar masa e arrestit shtëpiak, në kohëzgjatje prej një (1) muaji.

I pandehuri K.H, obligohet që të qëndrojë në vendbanimin e tij dhe në asnjë mënyrë pa leje të gjykatës nuk guxon të largohet nga shtëpia e tij, ndërsa mbikëqyrjen e masës së arrestit shtëpiak do ta bëjë Policia e Kosovës, ashtu që nëse i pandehuri nuk i përmbahet kësaj mase, masa e arrestit do të zëvendësohet me masën e paraburgimit, po ashtu është obliguar Stacioni Policor që për mos respektimin e kësaj mase nga ana e të pandehurit K.H, të lajmërojë Gjykatën Themelore – Departamentin Special në Prishtinë”, thuhet në njoftimin e themelores.

K.H i takon organizatës terroriste ISIS, i njëjti gjatë muajve shtator – tetor të vitit 2016, sipas udhëzimeve të ish-udhëheqësit të Shqiptarëve në Siri, Lavdrim Muhaxheri, së bashku me të pandehurit tjerë, kishin përgatitur sulme terroriste në territorin e Ballkanit dhe atë së pari në Kosovë, kishin planifikuar që të sulmojnë ndërkombëtarët dhe institucionet  e sigurisë, me qëllim që duke luftuar seriozisht të frikësojnë popullsinë, të destabilizojnë dhe të shkatërrojnë strukturat themelore politike, kushtetuese, ekonomike dhe sociale të shteteve të ndryshme, pastaj në territorin e tyre të krijojnë shtetin islamik “Iraku dhe Levant”, me këtë në bashkëkryerje ka kryer veprën penale Përgatitja e veprave terroriste ose veprave kundër rendit kushtetues dhe sigurisë së Republikës së Kosovës si dhe veprën penale Organizimi dhe pjesëmarrja në grup terrorist.

Shpërndaje në: