Deputetja e Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), Blerta Deliu-Kodra, ka kërkuar nga zëvendëskryeministri i Kosovës, Besnik Bislimi, të tregojë se çfarë ka biseduar të martën në takim me emisarin e BE-së për dialog, Mirosllav Lajçak në Bruksel.
Ajo ka thënë se uron që në këtë takim nuk është diskutuar për hapjen e urës së Ibrit, sepse sipas saj, do të ishte cenim i sovranitetit dhe Kushtetutës.
“Sot dhe asnjë ditë më vonë, zëvendëskryeministri Bislimi duhet t’u tregoj qytetarëve për çfarë kanë biseduar me emisarin Lajçak dje në Bruksel. Uroj që hapjen e urës së Ibrit nuk e kanë shtruar si temë diskutimi me palën serbe. Ky cenim i sovranitetit dhe kushtetutës tonë, do të ishte i papranueshëm. Zëvendëskryeministër, dil sot edhe fol!”, ka shkruar Deliu-Kodra në “Facebook”.
Kryenegociatorët e Kosovës dhe Serbisë u takuan të martën ndaras në Bruksel me të dërguarin e Bashkimit Evropian Miroslav Lajçak në një raund të ri bisedimesh, mes debateve për situatën në veriun e Kosovës dhe përpjekjeve të BE-së për të shtyrë palët drejt zbatimit të Marrëveshjes së Ohrit.
Lajçak takoi ndaras të dy palët, por nuk pati një takim trepalësh.
Për zëvendëskryeministrin e Kosovës, Besnik Bislimin, ishte Petar Petkoviq ai i cili kushtëzoi agjendën e takimit trilateral me kërkesa të papranueshme për Kosovën, por nuk i bëri të ditura se cilat ishin kërkesat.
Gjatë takimit atje, u diskutua edhe çështja e hapjes së urës mbi lumin Ibër në Mitrovicë.
Përmes njoftimit nga Zyra e Kryeministrit, u bë e ditur se Bislimi ka theksuar se sipas BE-së dhe raporteve të Komisionit Evropian që nga viti 2014, ura duhet të hapet pa vonesa të mëtejme.
“Mbi lirinë e lëvizjes, zëvendëskryeministri e informoi z. Lajçak mbi lehtësimin nga ana e Qeverisë të konvertimit të patentë-shoferëve për qytetarët e komunitetit serb dhe mbështetjes së tyre në këtë proces.
Njëherit, Bislimi ka thënë se kjo çështje është trajtuar e dakorduar në Bruksel në kuadër të procesit të dialogut.
“Ajo duhet të hapet sipas marrëveshjes ekzistuese, ku edhe cilësohet si simbol i normalizimit”, ka deklaruar Bislimi.
Shpërndaje në: