Nis gjykimi ndaj ish-kryeshefit të KEK-ut, Nagip Krasniqi

LAJME

Të enjten ka nisur seanca fillestare në gjykimin ndaj ish-kryeshefit të Korporatës Energjetike të Kosovës, Nagip Krasniqi, i cili dyshohet për veprën penale “Keqpërdorim i detyrës zyrtare”.

Krasniqi ishte arrestuar më 19 prill të vitit të kaluar, pas bastisjeve që janë kryer nga Njësia e Veçantë e Hetimeve, në zyrën e tij në KEK dhe dy banesat e tij. Deri në shtator qëndroi në paraburgim. Pas lirimit, iu ndalua t’i afrohej objektit të KEK-ut në 50 metra.

Krasniqi ishte emëruar në krye të KEK-ut në tetor të vitit 2021.

Aktakuza e ngritur ndaj ish-kryeshefit të KEK-ut është plotësisht e ndarë nga hetimi për të cilin u arrestua vitin e kaluar.

Pas arrestimit për dyshime për keqpërdorim të detyrës zyrtare në dy kontrata, Prokuroria e Shtetit ka filluar ta hetojë Krasniqin për tregti të energjisë me një kompani sllovene që nuk kishte licencë nga Zyra e Rregullatorit të Energjisë, për të vepruar në Kosovë. Nga dokumentet që ka sekuestruar hetuesia vitin e kaluar dhe nga ekzaminimi i komunikimeve online, është parë që Krasniqi ka qenë i njoftuar se kompania që po i shiste rrymë Kosovës nuk kishte licencë, por ka vazhduar punën me të.

Shpërndaje në: