Gara presidenciale në Shtetet e Bashkuara është futur në javët e saj të fundit. Prej atentatit ndaj ish-presidentit Donald Trump në korrik, tërheqjes së presidentit Joe Biden nga gara, e deri te dalja në skenë e zëvendës-presidentes Kamala Harris, ky cikël zgjedhor ka prodhuar dramë si kurrë më parë. Sondazhet sugjerojnë se gara është tejet e ngushtë dhe se gjithçka mbetet e hapur.
45 ditë larg ditës së zgjedhjeve, askush në Amerikë nuk mund të thotë me siguri se ky apo ai kandidat do të dalë fitues. Ndonëse në muajt qershor dhe korrik dukej se Trump po udhëhiqte në mënyrë të konsiderueshme, gjithçka u përmbys me tërheqjen e presidentit Biden, i cili hapi rrugë për një dinamikë të re në mesin e demokratëve.
Gjatë javës së fundit është lëshuar një grumbull i madh i sondazheve, shumica prej të cilave e favorizojnë kandidaten e demokratëve. Kompania Morning Consult e vendos Harris-in 6 pikë para Trump-it, YouGov/The Economist e favorizon demokraten me 4 pikë dallim, Fox News me 2 pikë, ndërsa New York Times/Siena College garën e sheh të barabartë sa i përket votës popullore.
Sado që vota popullore mund të jetë tregues i mirë i trendit të votuesve, megjithatë në SHBA gara për 270 pikë elektorale vendoset nga shtetet individuale, sidomos në ato ku rezultati është i ngushtë pothuajse çdo vit. Në këto palë zgjedhje presidentin/en pritet ta përcaktojnë shtetet si Arizona (11 pikë), Georgia (16 pikë), Michigan (15 pikë), Nevada (6 pikë), North Carolina (16 pikë), Pennsylvania (19 pikë) dhe Wisconsin (10 pikë).null
Në të gjitha këto shtete dallimi mes dy kandidatëve, gjithnjë sipas sondazheve, është shumë i vogël, gjë që e bën garën edhe më interesante dhe dramatike. Dy grumbulluesit më të mëdhenj të sondazheve në SHBA, Real Clear Politics (RCP) dhe 538, duke nxjerrë mesataren e të gjitha sondazheve të kryera në javët e fundit, për momentin e favorizojnë zëvendës-presidenten Harris me 276 pikë elektorale, ndërsa ish-presidenti Trump grumbullon 262 pikë.
Në të gjitha këto shtete dallimi mes dy kandidatëve, gjithnjë sipas sondazheve, është shumë i vogël, gjë që e bën garën edhe më interesante dhe dramatike. Dy grumbulluesit më të mëdhenj të sondazheve në SHBA, Real Clear Politics (RCP) dhe 538, duke nxjerrë mesataren e të gjitha sondazheve të kryera në javët e fundit, për momentin e favorizojnë zëvendës-presidenten Harris me 276 pikë elektorale, ndërsa ish-presidenti Trump grumbullon 262 pikë, transmeton Gazeta Metro.
Ndonëse me disa dallime në përqindje, të dy këta grumbullues sondazhesh e projektojnë Trump-in si fitues në Arizona, Georgia dhe North Carolina, ndërsa Harris-in e vendosin përpara në Michigan, Nevada, Pennsylvania dhe Wisconsin. Të gjitha rezultatet, duhet theksuar, janë brenda marzhës së gabimit, gjë që e lë të hapur mundësinë që në secilin prej shteteve rezultati të përmbyset.
Megjithëkëtë, duke marrë parasysh se ish-presidenti Trump historikisht është nënvlerësuar nga sondazhet, projeksionet aktuale assesi nuk përbëjnë arsye për gëzim në kampin e demokratëve. Për shembull, nëse gabimet e bëra në projeksionet për zgjedhjet e vitit 2020 nga RCP dhe 538 përsëriten edhe kësaj radhe, atëherë Trump fiton bindshëm me mbi 300 pikë elektorale.
Për Trump duket se rruga më e mundshme drejt Shtëpisë së Bardhë kalon nga Georgia, North Carolina dhe Pennsylvania, shtete të cilat do t’ia siguronin republikanit 270 pikët e nevojshme. Më 2020, Trump fitoi vetëm në North Carolina, me presidentin Biden i cili siguroi fitoren në pothuajse të gjitha shtetet kyçe të lartpërmendura. Sidoqoftë, këtë vit në secilin prej këtyre shteteve gara është ende e hapur dhe të dy kandidatët po luftojnë ashpër përmes tubimeve të mëdha, reklamave multi-milionëshe televizive dhe atyre në rrjetet sociale.
Zgjedhjet në SHBA, si zakonisht, edhe këtë vit duken të paparashikueshme. Ndonëse rezultati pritet të jetë tepër i ngushtë midis Trump dhe Harris, shumëçka mund të ndodhë deri më 5 nëntor. Për momentin, është vështirë të favorizohet njëri prej kandidatëve, kur edhe vetë sondazhet nuk tregojnë qartë se kush është duke udhëhequr. Kështu, deri në numërimin e fletëvotimit të fundit, sytë e gjithë botës do të jenë të drejtuar nga Amerika.
Shpërndaje në: