Sipas rezultateve paraprake te publikuara mbrëmë , Partia Demokratike e Socialistëve po prin në zgjedhjet lokale në Podgoricë, duke fituar rreth 29 për qind të votave.
Ajo ndiqet nga koalicioni i Lëvizja Evropa Tani dhe Mali i Zi Demokratik me rreth 23 për qind të votave.
Ndërkohë, koalicioni “Për Ardhmërinë e Podgoricës” ka 21 për qind të votave.
Ndryshe, dje në Podgoricë u mbajtën zgjedhjet e jashtëzakonshme për Kuvendin e kryeqytetit të Malit të Zi, ku morën pjesë 13 lista zgjedhore.
Në këto zgjedhje të drejtë vote kanë pasur afro 146 mijë votues, të cilët zgjedhin 58 këshilltarë për Kuvendin e Podgoricës.
Sipas mediave, rënia e pushtetit në Podgoricë ishte pasojë e mosmarrëveshjes dhe ndarjes së partisë që mban pushtetin në Malin e Zi, Lëvizjes Evropa Tani.
Partia u nda mes presidentit aktual, Jakov Milatoviç, i cili ishte një nga themeluesit e saj, dhe kryeministrin dhe kryetarin të kësaj lëvizjeje, Milojko Spajiç.
Analistët i konsiderojnë të rëndësishme zgjedhjet e Podgoricës dhe i shohin si një lloj testi për zgjedhjet e mundshme të jashtëzakonshme parlamentare në Mal të Zi, të cilat sipas disa vlerësimeve mund të ndodhin për shkak të paqëndrueshmërisë ende të theksuara politike në vend.
Zgjedhjet e mëparshme për Kuvendin e kryeqytetit u mbajtën në tetor të vitit 2022, kur pas gati tre dekadash Partia Demokratike e Socialistëve e ish-presidentit Milo Gjukanoviq humbi pushtetin, në nivel shtetëror dhe pastaj në kryeqytetin malazez në një valë ndryshimesh të përgjithshme politike në shtet.
Mali i Zi ka rreth 633,000 banorë, dhe rreth 180,000 prej tyre jetojnë në Podgoricë, sipas regjistrimit të vitit 2023.
Shpërndaje në: