Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti mori pjesë në konferencën e organizuar nga Federata e Paqes Universale në bashkëpunim me Qeverinë e Kosovës, me temën: “Paqja, stabiliteti dhe tranzicioni demografik në Ballkanin Perëndimor”.
Gjatë fjalimit të tij ku theksoi se paqja në Kosovë nuk është marrë kurrë si e mirëqenë pasi u luftua për të, derisa foli edhe për anën ekonomike, që sipas tij, në këto tre vite është shënuar progres si kurrë më parë.
“Rritja mesatare ekonomike është në nivelin 6.2%, ekonomia e vendit përkatësisht Bruto Produkti Vendor sot që po flasim është gjashtëfish më i madh se sa në vitin 2000, nuk po e marrim parasysh vitin ‘99-të të luftës e të kthimit të refugjatëve në shtëpitë e tyre të djegura, dhe tri herë më i madh sesa në vitin 2008 kur e shpallëm pavarësinë. Eksportet e investimet e huaja janë dyfishuar dhe raporti eksport-import krahasuar me vitin 2021 është përmirësuar në më mirë se 1:6 nga 1:9 sa ishte asokohe”- deklaroi Kurti.
Tutje Kurti theksoi se ka rritje të punësimit prej mbi 21%.
“Nga 350 mijë vende të punës sa ishin në Kosovë në sektorin publik dhe atë privat në pranverën e vitit 2021 në 425 mijë vende pune tash që po flasim, përfshirë këtu veçanërisht dyfishimin e numrit të të rinjve të punësuar dhe mbështetjen direkte në punësimin e mbi 12 mijë grave”- ka shtuar më tej i pari i vendit.
Derisa, shtoi se pagat janë në trend të rritjes, e ajo minimale është dyfishuar në këto vitet e fundit.
“Kemi borxhin publik më të ulët në Evropë, që na bënë më të fortë në negociatat me institucionet financiare ndërkombëtare, nivel të ulët të inflacionit, ndërkaq shpenzimet kapitale për vitin 2023 ishin më të lartat në historinë e vendit tonë për nga qindra milionat e ekzekutuara, ndërkaq qarkullimi i bizneseve gjatë vitit të kaluar ishte për 58% më i lartë se në vitin 2019, si vit para pandemik, nga 12.5 në 19.76 miliardë Euro”- ka thënë Kurti.
Më tej, kryeministri ka shtuar se vendi po rritet, si lider i progresit dhe i zhvillimit ekonomik e demokratik në rajon dhe me trajektore tejet premtuese për të tashmen dhe të ardhmen.
Shpërndaje në: