Kryeministri Albin Kurti publikisht e kishte shfaqur besimin e tij për ministren Rozeta Hajdari pas skandalit në Rezervat Shtetërore. Mirëpo, Paparaci të hënën ka publikuar vendimet e dyshimta të shefit të qeverisë e komunikime të cilat implikojnë direkt Hajdarin në këtë skandal.
Pas aksionit të Policisë së Kosovës më 18 gusht 2023, ku ishin arrestuar Hafiz Gara, Irfan Lipovica dhe Ridvan Muharremi, Kurti përmes një video adresimi kishte thënë se s’ka korrupsion dhe as keqpërdorime me rezervën shtetërore.
Kurti ka thënë se ka besim të plotë në ministren Rozeta Hajdari dhe në punën e saj.
“Nuk ka kurrfarë korrupsioni e keqpërdorimi. Unë kam besim të plotë në Ministren Rozeta Hajdari dhe në punën e saj. Pas luftës në Ukrainë, kur kishte krizë globale, ministria që ajo drejton, i ka blerë rezervat dhe i ka mbushur depot në një kohë kur të gjithë kufijtë ishin mbyllur e pothuajse të gjitha shtetet kishin ndaluar eksportin”, ka thënë Kurti.
Duke i dal në mbështetje ministres Hajdari, Kurti ka deklaruar se rezervat shtetërore si qeveri i kanë gjetur 300 mijë euro dhe i kanë bërë 25 milionë për dy vite.
Ai tutje ka thënë se 97% e vlerës së blerë vitin e kaluar ka mbërritur në Kosovë, duke përfshirë 99.5% të sasisë së grurit, mirëpo duke mos përmendur vajin.
Rezervat shtetërore i kemi gjetur 300 mijë euro e i kemi bërë 25 milionë euro për dy vite. 97% të vlerës së blerë vitin e kaluar ka mbërrirë në Kosovë, përfshirë këtu 99,5% të sasisë së grurit që tashmë ndodhet në depo në vendin tonë, e për pjesën e mbetur, kompanitë furnizuese kanë obligim të hapur për ta përmbushur kontratën, dhe nëse nuk e bëjnë këtë janë procedurat ligjore”, ka thënë kryeministri Kurti.
Në fjalimin e tij, Kurti nuk ka lënë pa përmendur, elitën e vjetër politike, duke e quajtur të korruptuar, si edhe gjykatësit dhe prokurorët, si edhe në fund mediat, duke shtuar se janë “të keqpërdorura për mbështetje të krimit”.
Ndër të tjera, i pari i Qeverisë së Kosovës ka thënë se përpjekja e tyre është për ta ndryshuar situatë dhe për ta kthyer ish sistemin e kalbur e të korruptuar.
“Humbësit i gjeni tek elita e vjetër dhe e korruptuar politike, te gjykatës dhe prokurorë të saj, te mediat e keqpërdoruara pёr mbёshtetje tё krimit. Edhe pse tё paktё nё numёr, pёrfitimet e tyre kanё qenё shumëmilionёshe, andaj edhe nuk kanё se si mos tё ndihen humbës tё mëdhenj. Përpjekjet e tyre për ta ndryshuar situatën janë në shërbim të planit për ta kthyer ish sistemin e kalbur e tё korruptuar”, ka thënë Kurti ndër të tjera.
Në hulumtimin e Paparacit, kryeministri Albin Kurti dhe ministrja Rozeta Hajdari janë përfshirë në skemën e dyshimtë të furnizimit me mallra të Rezervave Shtetërore të Mallrave.
Kurti, në cilësinë e kryeministrit i ka nënshkruar dy vendime të dyshimta brenda pak ditëve në shkurt të vitit 2022. Hajdari është përfshirë direkt në blerjen e mallrave, në kundërshtim me ligjet dhe kompetencat e saj si ministre.
Paparaci e ka siguruar dosjen e plotë të rastit, në të cilin implikohen edhe dy zyrtarë të lartë të Ministrisë së Industrisë, Tregtisë dhe Ndërmarrësisë, dy kompani private turke e polake dhe sekseri Ridvan Muharremi.
Dosja përmban vendimet e dyshimta të shefit të qeverisë, komunikimet me e-maile të ministres së Tregtisë direkt me Ridvan Muharremin, sekserin i cili ndërmjetësoi mes qeverisë dhe kompanive, si dhe pro-faturat për mallin.
Por, një pjesë e madhe e mallit të paguar nuk erdhi kurrë në Departamentin e Rezervave Shtetërore në Ministrinë e Tregtisë. Vaji, sheqeri, kripa. Megjithatë ky nuk është dëmi kryesor.
Dëmi kryesor që i është shkaktuar buxhetit të shtetit është blerja e mallit në një vlerë mbi 5 milionë euro më shtrenjtë sesa vlera e çmimeve të tyre në treg. Kjo është konstatuar nga një ekspertizë e Prokurorisë Speciale.
Për më shumë bashkangjitur keni lajmin hulumtues nga paparaci.com
Shpërndaje në: