Për herë të parë në QKUK bëhen operime në zemër me metodën minimale invazive dhe endoskopike

LAJME

Për herë të parë në Kosovë, në Qendrën Klinike dhe Universitare të Kosovës po realizohen operimet në zemër përmes metodës minimale invazive dhe endoskopike.

Në Shërbimin Klinik të Kardiokirurgjisë, nga dita e djeshme po qëndron për vizitë pune, drejtori i Kardiokirurgjisë së Spitalit Universitar të Cyrihut dhe njëkohësisht udhëheqës i Alliances për Kardiokirurgji (Spitali Universitar i Cyrihut, Spitali i qytetit te Cyrihut dhe Spitali kantonal i Cyrihut) Prof. dr. Omer Xhemaili.

Ai është pritur në takim nga ministri i Shëndetësisë, Arben Vitia, drejtori i përgjithshëm i ShSKUK-së, Elvir Azizi, u.d. drejtori i QKUK-së, Osman Hajdari dhe dr. Ardian Shefkiu, të shoqëruar nga Dr. Shpejtim Shurdhiqi, drejtor i Shërbimit Klinik të Kardiokirurgjisë.

Gjatë takimit u vlerësua kontributi dhe përkrahja e profesor Xhemailit, e cila do t’i shërbejë edhe për kardiokirurgët e QKUK-së.

Profesor Xhemaili së bashku me stafin e Shërbimit Klinik të Kardiokirurgjisë të udhëhequr nga Drejtori i klinikës, Dr. Shurdhiqi kanë realizuar me suksese riparimin e valvulës mitrale tek disa pacientë përmes metodës minimale invazive endoskopike, metodë që realizohet përmes një prerje rreth 5 centrimetra, në hapësirat ndër brinjore duke bërë riparimin apo ndërrimin e valvulës, pa pasur nevojë të hapet dërrasa e gjoksit-sternumi.

Kontributi dhe gatishmëria e Profesor Xhemailit në trajnimin e stafit të Kardiokirurgjisë me këto metoda minimale invazive paraqesin hap drejt zhvillimit të Kardiokirurgjisë me metoda të avancuara, të cilat në të ardhmen do të shtohen në numrin e procedurave operative kardiokirurgjike në QKUK.

Shpërndaje në: