Pasivizimi i adresave, Raporti i Progresit kritikon Serbinë për shkeljen e të drejtave të shqiptarëve në Luginë

LAJME

Raporti i Progresit i Komisionit Evropian e ka kritikuar Serbinë për shkeljen e të drejtave të njeriut në Luginën e Preshevës. Në raport përmendet pasivizimi i adresave të shqiptarëve.

Raporti përmenden kontrollet policore dhe pasivizimin e adresave duke potencuar se shqiptarët në Serbi janë përballur me procedura të paqarta dhe mungesë transparence nga autoritetet, shkruan gazeta online Reporteri.net.

Aty përmendet edhe mungesa e përfaqësimit të shqiptarëve në institucionet publike dhe polici  dhe përmirësimi i qasjes në arsim dhe kulturë në gjuhën amtare.

Pjesëtarët e pakicës shqiptare ngritën shqetësime për mënyrën se si policia po kontrollonte statusin e vendbanimit të tyre në Serbinë jugore, duke rezultuar në ‘pasivizimin’ e adresave. Është e nevojshme që autoritetet t’i shpjegojnë më mirë publikut se si po kryhen këto kontrolle.

Zbatimi i planit të veprimit për përmirësimin e përfaqësimit të shqiptarëve në institucione duhet të përshpejtohet dhe të çojë në përmirësime të prekshme. Pakicat kombëtare mbeten të nënpërfaqësuara në administratën publike dhe polici. Progresi në shtypjen e teksteve të caktuara në gjuhët e pakicave duhet të intensifikohet më tej, si dhe mësimi i serbishtes si gjuhë shtesë”, thuhet në raport.

Shqiptarët e Luginës së Preshevës së fundmi  kanë protestuar kundër shtypjes dhe diskriminimit që po ushtrohet ndaj tyre nga autoritetet e Serbisë.

Javë më parë, Komisioni Evropian dhe Ministria e Punëve të Jashtme e Gjermanisë, shprehën shqetësimin për pasivizimin e adresave të shqiptarëve në Luginën e Preshevës nga autoritetet e Serbisë duke theksuar se kjo tendencë e Serbisë bie ndesh me obligimet që ka ky vend për respektimin e të drejtave të pakicave.

Sipas autoriteteve shqiptare në Luginë, deri më tani janë pasivizuar rreth 6.000 adresa në Preshevë, Bujanoc dhe Medvegjë.

Shpërndaje në: