Ministria e Punëve të Jashtme e Gjermanisë, ka thënë se Projektligji i Serbisë për shpalljen e Kosovës zonë të mbrojtjes së veçantë dhe për organizimin e juridiksionit të saj në çështje penale në Kosovë, shkel detyrimet e saj të Dialogut të arritura në Bruksel me ndërmjetësimin e Bashkimit Evropian.
Kjo deklaratë u dha në platformën “X”, ku MPJ gjermane i ka kërkuar Serbisë të rishqyrtojë vendimet e marra, raporton gazeta online Reporteri.net.
“Projektligji i Serbisë për shpalljen e Kosovës zonë të mbrojtjes së veçantë dhe për juridiksionin mbi veprat penale, shkel qartë obligimet e saj nga dialogu. I kërkojmë Serbisë që ta rishqyrtojë. Të dyja shtete, Kosova dhe Serbia, duhet të zbatojnë marrëveshjen e Ohrit të vitit 2023 pa vonesë, duke përfshirë Asociacionin e komunave me shumicë serbe”, ka shkruar Ministria e Jashtme gjermane.
Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe Bashkimi Evropian e patën kritikuar ditët e fundit Serbinë për këto vendime.
Ato thanë se Serbia ka shkelur detyrimet nga dialogu i Brukselit duke miratuar projektligjin për juridiksionin gjyqësor në Kosovës dhe projektligjin tjetër.
Shpërndaje në: