A do t’i kthejnë institucionet e Kosovës serbët që dhanë dorëheqje?

LAJME

Thirrjet e presidentit të Serbisë, Aleksandar Vuçiq, për riintegrimin e serbëve në veri të Kosovës, u mirëpritën nga Bashkimi Evropian si një lëvizje pozitive, por nuk u komentuan fare nga kryeministri i Kosovës, Albin Kurti.

Zyrtarët e Qeverisë së tij nuk kanë treguar nëse do të pranojnë kthimin e serbëve në institucionet e Kosovës, shkruan Radio Evripa e Lirë.

Kryetari i Kuvendit të Kosovës, Glauk Konjufca, i cili vjen nga partia e Kurtit, tha para gazetarëve se një veprim i tillë do të ishte antikushtetues.

Anëtarja e kabinetit të Kurtit, ministrja e Jashtme, Donika Gërvalla, tha se Vuçiq, me kërkesat e tij, synon të vazhdojë “instrumentalizimin e serbëve” të Kosovës.

Për ekspertë të çështjeve ligjore, kthimi i serbëve në gjykata dhe prokurori mund të bëhet, por jo edhe i atyre në polici.

Pse serbët i braktisën institucionet dhe çka kërkoi Vuçiq?

Qindra pjesëtarë të komunitetit serb në veri dhanë dorëheqje nga institucionet e Kosovës, përfshirë komunat, policinë, gjykatat dhe prokurorinë, në nëntor të vitit 2022.

Kjo pasoi indinjatën e tyre me një vendim të Qeverisë së Kosovës për t’i zëvendësuar targat serbe të makinave me targa të Kosovës.

Nga ajo kohë, kryetarët e komunave Mitrovicë e Veriut, Zveçan, Zubin Potok dhe Leposaviq, u zëvendësuan me udhëheqës shqiptarë, pasi komuniteti shumicë serb në zonë i bojkotoi zgjedhjet.

Në gjykata, prokurori dhe polici, punonjësit serbë nuk u kthyen.

Në një adresim më 13 shtator në Beograd, presidenti i Serbisë, Vuçiq, parashtroi disa kërkesa për Kosovën – mes tjerash: “kthimin e serbëve në Drejtorinë Rajonale të Policisë së Kosovës për veriun, kthimin e gjyqtarëve dhe prokurorëve serbë në funksionet e tyre, si dhe shpalljen dhe mbajtjen e “zgjedhjeve lokale, të lira dhe demokratike” në veri.”

“Nuk i komentojmë deklaratat politike”

Ministria e Punëve të Brendshme të Kosovës, pyetjet se a mund të rekrutohen policët serbë që dhanë dorëheqje dhe si, ka kërkuar që pyetjet t’i dërgohen Policisë së Kosovës.

Kjo e fundit tha shkurtimisht në përgjigjen me shkrim se “nuk i komenton deklaratat e asnjë personi/subjekti politik”.

Ndërsa, sa i përket rekrutimit të kadetëve policorë, tha se konkursi bëhet publik, bashkë me kriteret e kërkuara.

Shpërndaje në: