Albin Kurti: Konsultohem me aleatët, por vendimet i marr vetë

LAJME

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti ka folur për së fundi për aleatët ndërkombëtarë, gjë për të cilën ai ka thënë se është një rrezik që ia vlen, kur “parimësia është e drejtë”.


I pyetur se “aventurë e rrezikshme” ani pse e mirëpritur tek populli, kreu i Qeverisë tha se me SHBA-në, Bashkimin Evropian e NATO-n ndajnë vlera të përbashkëta, por që vendimet për Kosovën duhet t’i marrin vetë si Qeveri, ani pse ka konsultime me aleatët, por përgjegjësia i takon Kosovës.

“Parimësia në politikë sidomos kur përfaqëson nivelet e larta të saj në shërbim të interesit të popullit, të drejtave dhe nevoja të tij, në kohëra të ndryshme mund të paraqesë rrezik të ndryshëm, mirëpo unë besoj që është një rrezik që gjithmonë ia vlen, meqenëse parimësia është e drejtë. Kjo nuk do të thotë që s’kemi strategji, mirëpo s’jemi dakord me veprime strategjike pa kurrfarë parimësie vlerore. Me SHBA-në, me BE-në, me NATO-n ne ndajmë në mënyrë të plotë vlerat e përbashkët, por edhe interesa e qëllime të njëjta. Në Republikën e Kosovës jemi qeveri demokratike dhe duhet të marrim vet vendime për veten tonë, me që rast konsultohemi edhe me aleatët, por barrën e përgjegjësisë duhet ta marrim vetë. Kjo mund të duket e çuditshme te disa njerëz që na krahasojnë me qeveritë e kaluara, por kjo është gjëja më normale për një Republikë demokratike e të pavarur si puna e Kosovës”, tha Kurti në një intervistë për Qendrën Kulturore Shqiptaro-Amerikane Struga në SHBA.

Rreth akuzave si anti-amerikan nga opozita, Kurti tha se këta të fundit bëjnë konstatime të tilla irracionale, pasi s’arrijnë të gjejnë argumente racionale.

Sipas tij deklarata të tilla vijnë nga dëshprimi opozitar i tyre.

“SHBA-ja janë partneri, miku dhe aleati ynë më i madh dhe i pazëvendësueshëm. Kundërshtarët e VV-së dhe Qeverisë së Kosovës, duke mos arritur të gjejnë argumente racionale bëjnë konstatime të tilla irracionale. Nuk bëhet fjalë për kurrfarë anti-amerikanizmi tek kushdo nga kabineti ynë qeveritar, apo lëvizja ynë politike, përkundrazi, por ata që bëjnë akuza të tilla mbase më shumë shprehën në këtë mënyrë dëshpërimin opozitar, sesa ndonjë kritikë të vlefshme”, tha Kurti./zëri

Shpërndaje në: