Bashkimi Demokratik për Integrim, partia më e madhe e shqiptarëve në Maqedoninë e Veriut, ka alarmuar se një ndërmarrje publike që kujdeset për rrugët e shtetit i ka ndërprerë procedurat për ndërrimin e shenjave të komunikacionit për ta resepektuar ligjin për përdorimin e gjuhës shqipe.
BDI-ja, përmes një komunikate, e konsideron këtë “skandal” dhe “akt të qartë diskriminimi ndaj shqiptarëve”.
“Skandalet me gjuhën shqipe nuk kanë të ndalur. Ndërmarrja publike për rrugët e shtetit ka ndërprerë procedurat për projektin e udhëheqjes së kaluar, që kishte për qëllim ndryshimin e të gjitha shenjave të komunikacionit në autostrada, në përputhje me ligjin për përdorimin e gjuhës shqipe. Ky është një hap i paprecedent dhe i dëmshëm për zbatimin e ligjit që garanton barazinë gjuhësore. Pavarësisht faktit që procesi i përzgjedhjes së kompanisë për realizimin e projektit ishte përfunduar, udhëheqësia aktuale ka vendosur të ndërpresë procedurën”, thuhet në komunikatën e kësaj partie.
BDI-ja, tash në opozitë, thotë se “kjo ndërprerje mund të verifikohet lehtësisht në sistemin elektronik të prokurimeve publike” dhe se ajo ngre “pikëpyetje serioze mbi qëndrimin e kësaj qeverie ndaj zbatimit të ligjit”.
“Bashkimi Demokratik për Integrim alarmon se këto dështime vijnë si rezultat i mungesës së legjitimitetit zgjedhor të kësaj qeverie, paaftësisë së qartë të saj për të menaxhuar procese kyçe dhe varësisë së saj nga ndikimet politike të VMRO-së”, thotë BDI-ja, duke iu referuar koalicionit të partive shqiptare, VLEN, që është pjesë e koalicionit qeverisës në Maqedoninë e Veriut.
“Këto veprime janë të papranueshme dhe dëmtojnë rëndë procesin e barazisë institucionale në vend. Në vend që të përballen me përgjegjësitë e tyre, humbësit e zgjedhjeve po përpiqen t’i mbulojnë këto dështime masive me sulme politike të pabaza dhe përndjekje të panevojshme”, thuhet në komunikatë.
Shpërndaje në: