Bislimi thotë se rreth 75 mijë vende pune u krijuan gjatë qeverisjes Kurti

EKONOMI

Zëvendëskryeministri i parë i Kosovës, Besnik Bislimi thotë se vetëm gjatë qeverisjes së kryeministrit Albin Kurti, Kosova ka krijuar rreth 75 mijë vende të punës.

Kështu tha ai gjatë takimit me kryesuesen e Divizionit për Ballkanin Perëndimor dhe Evropën Juglindore në Shërbimin Evropian të Veprimit të Jashtëm (EEAS), Zuzana Michalcová Šutiaková, më 28.10.2024.

“Përgjatë bashkëbisedimit, zëvendëskryeministri trajtoi dhe progresin që ka njohur vendi edhe në rrafshin ekonomik, ku tashmë i kemi rreth 75.000 vende më shumë të punës, të fokusuar tek punësimi i grave dhe të rinjve, e ku niveli i papunësisë është ulur nga 23.8% sa ishte para ardhjes sonë në qeverisje, në tash vetëm 10.8%”- shkruan në komunikatën e Zyrës së Kryeministrit.

Sipas ZKM-së, me zyrtaren nga Bashkimi Evropian zëvendëskryeministri Bislimi bisedoi rreth aktualitetit dhe zhvillimeve në vend dhe rajon, si dhe për rrugëtimin e Kosovës në procesin e integrimit europian.

Ndër të tjera thuhet se zëvendëskryeministri theksoi edhe nevojën për heqjen e masave të cilat vijojnë të jenë të padrejta e të qëndrojnë në fuqi edhe pas konstatimit të Përfaqësuesit të Lartë të Politikës së Jashtme të BE-së, Josep Borrell, në raportin e tij ku rekomandon heqjen e tyre.

Në raportin e Pulsit Publik të Programit të Kombeve të Bashkuara për Zhvillim (UNDP) në Kosovë, i cili u bë publik më 25.07.2024, shkruan se dy problemet më të mëdha të qytetarëve të Kosovës rezultojnë të jenë papunësia dhe varfëria. 

Të dhënat e anketës së majit të vitit 2024 kanë treguar se varfëria (16.6%), papunësia (16.3%) dhe çmimet për furnizimet esenciale (12.7%) janë identifikuar si tri problemet kryesore me të cilat po përballet Kosova.

Shpërndaje në: