Braktisja e seancave parlamentare nga VV-ja, Kryeziu: Kjo është një situatë tragjikomike

LAJME

Drejtori i KDI-së, Ismet Kryeziu, ka kritikuar partinë në pushtet për braktisjen e seancave parlamentare që po thirren nga opozita.

Ai ka bërë me dije se kushtëzimi që ka bërë VV-ja për pjesëmarrjen në këto seanca nuk është demokratik.

Në profilin e tij në “Facebook”, ai ka shkruar se kjo situatë është tragjikomike.

“Kuvendi dje mbajti përsëri një seancë të jashtëzakonshme, për të diskutuar për gjendjen në Korporatën Energjetike të Kosovës. Pavarësisht mosmarrëveshjeve të vazhdueshme, pozitë-opozitë, është për t’u përgëzuar që kryetari i Kuvendit, Glauk Konjufca, e ka udhëhequr këtë seancë, edhe pse shumica parlamentare, ka zgjedhur të mos marrë pjesë. VV-ja, përmes deputetit Dugolli, ka bërë të ditur se shumica parlamentare do të marrë pjesë në seanca vetëm atëherë pasi opozita të votojë marrëveshjet ndërkombëtare. Kjo është një situatë tragjikomike, pasi opozita ka arritur të ndikojë që për javë të tëra shumica parlamentare të mos marrë pjesë në Kuvend, dhe të jetë përgjegjëse për një kuvend jo-funksional. Demokracia parlamentare dhe përgjegjësia e shumicës parlamentare nuk janë çështje kushtëzimesh, por dialogim dhe negociim me opozitën. Në të kundërtën, në një kuvend ku nuk merr pjesë shumica parlamentare, më mirë do të ishte që të shpërndahej”, ka shkruar Kryeziu.

Shpërndaje në: