Dështimi i seancës konstituive, KDI: Përgjegjësia kryesore bie mbi Vetëvendosjen

LAJME

Dështimi i seancës konstituive, KDI: Përgjegjësia kryesore bie mbi Vetëvendosjen

Instituti Demokratik i Kosovës ia ka hedhur fajin Vetëvendosjes pas dështimit të seancës konstituive, shkruan Periskopi

Përmes një reagimi në facebook, KDI ka vlerësuar se “ky dështim nuk mund t’i faturohet vetëm opozitës, kur shumica pretendon se i ka votat, por është rezultat i keqmenaxhimit institucional dhe mungesës së përgatitjes ligjore nga ana e shumicës”.

“Vazhdimi i seancës duhet të thirret sa më parë, brenda afatit 48-orësh, për të mundësuar sërish mbledhjen e komisionit të përkohshëm, i cili duhet t’i shqyrtojë dhe verifikojë edhe një herë materialet përkatëse – të cilat duhet të jenë të plota. Më pas, është përgjegjësi e të gjithë 120 deputetëve që të votojnë pro raportit dhe të japin betimin. Në fund, LVV, si parti fituese, ka obligim të sigurojë votat e nevojshme për zgjedhjen e kryetarit të Kuvendit – përmes diskutimeve, negocimit dhe kompromisit politik – në mënyrë që të shfrytëzohen të gjitha mundësitë për formimin e institucioneve dhe të shmangen zgjedhjet e reja”, thuhet tutje në reagimin e KDI.

Reagimi i plotë:

𝐊𝐃𝐈: 𝐊𝐮𝐯𝐞𝐧𝐝𝐢 𝐝𝐮𝐡𝐞𝐭 𝐭𝐞̈ 𝐤𝐨𝐧𝐬𝐭𝐢𝐭𝐮𝐨𝐡𝐞𝐭 – 𝐩𝐞̈𝐫𝐠𝐣𝐞𝐠𝐣𝐞̈𝐬𝐢𝐚 𝐤𝐫𝐲𝐞𝐬𝐨𝐫𝐞 𝐛𝐢𝐞 𝐦𝐛𝐢 𝐋𝐕𝐕-𝐧𝐞̈
Dështimi i votimit të raportit të Komisionit të Përkohshëm për Verifikimin e Kuorumit dhe të Mandateve bëri që seanca konstituive e sotme të ndërpritet. Me vetëm 52 vota pro – të pamjaftueshme për miratim – u dëshmua qartë se ekziston një mospërputhje mes deklarimeve publike të Lëvizjes Vetëvendosje për sigurimin e shumicës së nevojshme dhe realitetit parlamentar.
Ndonëse të gjithë deputetët janë të obliguar të veprojnë në funksion të konstituimit të Kuvendit, mosdorëheqja formale e anëtarëve të qeverisë që kanë fituar mandat legjislativ ishte faktori kryesor që çoi në dështimin e sotëm të seancës. Në këtë kontekst, vlerësojmë se ky dështim nuk mund t’i faturohet vetëm opozitës, kur shumica pretendon se i ka votat, por është rezultat i keqmenaxhimit institucional dhe mungesës së përgatitjes ligjore nga ana e shumicës.
Përpjekjet për përfshirjen e Presidentes për t’i dhënë drejtim procesit të konstituimit të Kuvendit, përveçse tërësisht të panevojshme, janë juridikisht të pavlefshme. Roli dhe kompetencat e Presidentes përfundojnë me thirrjen e seancës – ndërsa menaxhimi i saj është përgjegjësi ekskluzive e kryesuesit të seancës, Avni Dehari.
𝐙𝐠𝐣𝐢𝐝𝐡𝐣𝐚 𝐞̈𝐬𝐡𝐭𝐞̈ 𝐞 𝐦𝐮𝐧𝐝𝐮𝐫 𝐝𝐡𝐞 𝐞 𝐝𝐨𝐦𝐨𝐬𝐝𝐨𝐬𝐡𝐦𝐞!
Vazhdimi i seancës duhet të thirret sa më parë, brenda afatit 48-orësh, për të mundësuar sërish mbledhjen e komisionit të përkohshëm, i cili duhet t’i shqyrtojë dhe verifikojë edhe një herë materialet përkatëse – të cilat duhet të jenë të plota. Më pas, është përgjegjësi e të gjithë 120 deputetëve që të votojnë pro raportit dhe të japin betimin. Në fund, LVV, si parti fituese, ka obligim të sigurojë votat e nevojshme për zgjedhjen e kryetarit të Kuvendit – përmes diskutimeve, negocimit dhe kompromisit politik – në mënyrë që të shfrytëzohen të gjitha mundësitë për formimin e institucioneve dhe të shmangen zgjedhjet e reja.

Source: [Read more]

Shpërndaje në: