“Do të krijojmë frymëmarrje për çdo biznes”, Berisha premton ulje të çmimit të energjisë dhe taksave
Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha, ka zhvilluar një takim me përfaqësues të biznesit të vogël në Tiranë, ku ka prezantuar disa nga pikat kryesore të programit të opozitës për mbështetje të këtij sektori. Berisha premtoi një sërë lehtësirash, duke përfshirë ulje të çmimit të energjisë dhe rritje të pragut të të ardhurave pa taksa për bizneset.
“Për biznesin e vogël, çmimi i energjisë elektrike do të zbresë nga 18 lekë për kilovat në vetëm 6 lekë. Kemi pasur këtë çmim më parë, dhe është koha që ta kthejmë atë për t’i dhënë një mundësi më të madhe për të mbijetuar dhe zhvilluar”, tha Berisha gjatë takimit në tregun industrial të kryeqytetit.
Ai u shpreh se ulja e çmimit të energjisë është pjesë e një plani të gjerë për të mbështetur bizneset, që kanë vuajtur nga rritjet e mëdha të çmimeve të energjisë gjatë viteve të fundit.
“Nuk mund të lejojmë që biznesi të mbytet nga kostoja e energjisë. Ne do të ndihmojmë çdo biznes të vogël të mbijetojë dhe të zhvillohet. Ulja e çmimit të energjisë është një hap konkret drejt përmirësimit të kushteve për ta”, tha Berisha, raporton Express, tramseton Periskopi.
Berisha gjithashtu theksoi se pragun e të ardhurave pa taksa për bizneset do ta rrisin nga 140 mijë euro në 180 mijë euro, një hap që do të lehtësojë ndjeshëm barrën fiskale për ata që operojnë në këtë sektor.
“Ne do të ngremë tavanin e të ardhurave pa taksa nga 140 mijë në 180 mijë euro. Ky është një lehtësim i madh për bizneset, që do të krijojë frymëmarrje dhe mundësi për rritje dhe investime.”
Kryetari i PD-së, gjithashtu, premtoi një amnisti për gjobat që janë vendosur ndaj biznesit të vogël dhe qytetarëve, duke theksuar se kjo do të ishte një mundësi për të rregulluar padrejtësitë e bërë deri tani.
“Do të ketë një amnisti të plotë për gjobat që janë vendosur pa drejtësi. Ky është një hap për të hequr barrën e padrejtë mbi bizneset dhe qytetarët, dhe për të filluar një periudhë të re, ku do të ketë më shumë drejtësi dhe mundësi për të rinjtë, bizneset dhe pensionistët.”
Sipas Berishës, qeveria e tij do të qëndrojë e qartë kundër praktikat e padrejta dhe nuk do të bëjë asnjë amnisti për trafikantët, ashtu siç kishte propozuar kryeministri Edi Rama.
“Edi Rama mund të ofrojë amnisti për trafikantët, por ne nuk do ta bëjmë këtë. Nuk i duam paratë e paligjshme që dëmtojnë ekonominë dhe po e shkatërrojnë vendin. Po ashtu, ky është një dëm që po kthehet në një krizë për të gjithë qytetarët shqiptarë.”
Një tjetër premtim i Berishës ishte përmirësimi i sistemit të shëndetësisë.
“Nga viti 2019 deri më sot, shpenzimet për shëndetësi nga xhepi i qytetarëve janë rritur me 41%. Qytetarët tanë po detyrohen të bëjnë analizat dhe trajtimet në spitale private për shkak të mungesës së shërbimeve në spitalet shtetërore. Ne do të ndryshojmë këtë situatë brenda 100 ditëve të para të qeverisjes sonë.”
“Po ashtu, lista e ilaçeve që rimbursohen nga shteti do të jetë identike me atë që ofrohet në Itali, për t’i dhënë mundësi çdo qytetari që të trajtohet pa u shqetësuar për koston.“
Pas takimit, Berisha iu përgjigj deklaratave të kryeministrit Edi Rama, i cili e akuzoi atë për shpalljen non grata nga SHBA.
“Rama ka dëshirë të flasë për mua dhe shpalljen time non grata, por po të shohim realitetin, është ai që duhet të japë llogari për hetimet e McGonigal. Qytetarët shqiptarë janë të lodhur nga mashtrimet dhe skandalet e tij. Pas 100 ditëve, Shqipëria do të ketë një drejtësi të vërtetë dhe një ekonomi të qëndrueshme.”/Periskopi/
Source: [Read more]
Shpërndaje në: