Emisari Kasanof: Veprimet e pakoordinuara të qeverisë komplikojnë mundësinë amerikane që të lobojmë për Kosovën

LAJME

Emisari special i Shteteve të Bashkuara të Amerikës për Ballkanin Perëndimor, Alexander Kasanof, ka mbajtur një takim me gazetarë nga Kosova.

Ai foli për zgjedhjet në Shtetet e Bashkuara duke thënë se politika e jashtme amerikane bazohet në interesat e tyre kombëtare, teksa shtoi se nuk ka gjasë që këto interesa të ndryshojnë në një shkallë të tillë, që do të ndikonte në një mënyrë dramatike kur është fjala për Kosovën.

“Epo, përsëri, dua të ritheksoj se ne, Shtetet e Bashkuara, mbetemi mbështetës të fortë të popullit të Kosovës dhe të popullit demokratik, sovran dhe multietnik. Dhe në këtë shkallë, ne do të vazhdojmë ta mbështesim Kosovën në përpjekjet e saj për t’u integruar në strukturat euroatlantike dhe veçanërisht me strukturat evropiane, Bashkimin Evropian”, tha Kasanof.

Njëjtë si paraardhësi i tij, Gabriel Esocbar, edhe Kasanof përmendi çështjen e moskoordinimit të Qeverisë së Kosovës me aleatët e saj, duke thënë se këto veprime i komplikojnë aftësitë amerikane që të avokojnë në mënyrë efektive për Kosovën.

“Siç thashë më parë, dhe thjesht do ta theksoj përsëri, ka shumë zyrtarë amerikanë që kanë treguar se veprimet e pakoordinuara nga qeveria e komplikojnë mundësinë tonë që të lobojmë në mënyrë efektive për Kosovën”.

“Dhe në takimet e mia me presidenten dhe kryeministrin, ritheksova dëshirën tonë për një partneritet më efektiv me ta”, tha Kasanof.

Shpërndaje në: