Fagioli u kërcënua nga një përmbarues, shkaku borxhet e mëdha nga bastet ilegale

SPORT

Fagioli u kërcënua nga një përmbarues, shkaku borxhet e mëdha nga bastet ilegale

Nicolò Fagioli është përballur me kërcënime të vazhdueshme nga një përmbarues për shkak të borxheve të tij të mëdha nga bixhozi, sipas detajeve të reja që po dalin nga hetimi mbi skandalin e basteve të paligjshme që ka përfshirë disa futbollistë të Serie A.

Mesfushori i Fiorentinës, i cili në atë kohë luante ende për Juventusin, është një nga 12 lojtarët e përfshirë në këtë skandal që ka rikthyer vëmendjen publike ditët e fundit, pas dëshmive të reja dhe analizës së pajisjeve të tyre elektronike.

Përkrah Sandro Tonalit, Fagioli përshkruhet si një nga figurat kyçe në skemë — pretendohet se ai ka tentuar të përfshijë edhe futbollistë të tjerë si Nicolò Zaniolo dhe ka pasur kontakte me njerëz që qëndronin në majë të rrjetit që organizonte bastet për lojtarët.

Sipas një raporti të ri nga Il Corriere della Sera, Fagioli përshkruhet si “i dëshpëruar” teksa përpiqej të shlyente një borxh prej 1.5 milionë eurosh nga bastet, duke marrë kërcënime të shumta nga një përmbarues i identifikuar si “Nelly.”

“Ma ke prishur fare. Mendon se do të tallesh me mua?” – i shkruante ai Fagiolit në një mesazh.

“Betohem që nëse nuk më ke dhënë paratë deri të mërkurën, do vij në Torino dhe do kujdesem që të mos luash më. Do të marr stilolapsin nga dora që të mos firmosësh më kontrata, sepse je plehrë. I di të gjitha – gjithë ato para që i ke vënë në emra të tjerë janë në fakt të tuat. Do të të bëj të punosh murator.”

Në përpjekje për të dalë nga kjo situatë, Fagioli tentoi të ndryshojë edhe agjent, për të shitur të drejtat e imazhit të tij dhe të siguronte para.

Por gjërat u përkeqësuan kur shenjat e problemit nisën të bëheshin të dukshme edhe te Juventusi. Në një mesazh që i dërgoi Marco Giordanos (djali i ish-futbollistit Bruno), ai kërkonte ndihmë:

“Kam gabuar rëndë, por nuk po e përballoj më dot,” shkruante ai.

“Sot dikush te Juve më foli, më pyeti nëse kisha ndonjë problem sepse po kuptojnë që diçka nuk shkon. Kanë dëgjuar thashetheme për bixhoz dhe po kuptojnë që nuk jam më mendërisht i pranishëm në stërvitje apo në ndeshje… Nesër nuk do luaj, dhe nëse vazhdon kështu, gjithmonë do jem në stol.

Dhe është e vërtetë — nuk shkoj më i qetë në stërvitje… Realiteti është që po përballem me kërcënime dhe gjithçka tjetër, dhe më ka mbaruar koha, justifikimet, opsionet.
Nëse kjo shpërthen, jam i shkatërruar për gjithë jetën. Edhe Juve sot ma tha këtë. Natën ndihem keq, dhe nuk më pëlqen më të shkoj në stërvitje… Mund të flasësh me shefat e tu për të parë nëse mund të më ndihmojnë? Sepse kjo është më e madhe se unë.”

Ashtu si Sandro Tonali, Fagioli ka marrë tashmë një dënim sportiv për përfshirjen e tij në bastet e paligjshme, përfshirë edhe ato mbi ndeshje futbolli. Megjithatë, ai nuk do të përballet me një tjetër pezullim për zbulimet e reja, pasi ato i përkasin të njëjtës periudhë për të cilën është dënuar më parë./Periskopi/

Source: [Read more]

Shpërndaje në: