Gjini: AAK i thotë `jo` koalicionit me VV, opozita mund ta bëjë qeverinë

LAJME

Ardian Gjini nga Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës ka theksuar se partia e tij nuk është e interesuar për krijimin e një koalicioni qeverisës me Lëvizjen Vetëvendosje. Gjini ka potencuar se AAK-ja nuk dëshiron të marrë më shumë barrë sesa që ka aktualisht dhe se nuk është e interesuar të luajë rolin e “playmaker”-it.

“Ne nuk e kemi në plan të ia mundësojmë Kurtit të qeverisë,” tha ai, duke shpjeguar se ekzistojnë votat e mjaftueshme për krijimin e një qeverie nga opozita. “Ne mendojmë që duhet të krijohet një qeveri nga opozita, nuk marrim më shumë barrë sesa që kemi,” ka thënë Gjini, duke shtuar se “nuk jemi të parët, përndryshe kishim filluar të dërgonim ofertat”, tha Gjini në RTK transmeton Periskopi.

Gjini, mes tjerash, ka potencuar se vendin e ka kapluar një ngërç politik, sepse sipas tij, askush nuk dëshiron të marrë pushtetin, dhe ndoshta kjo situatë mund të çojë në zgjedhje të reja vitin e ardhshëm.

“Ngërçi është se askush nuk po don të jetë në pushtet, ndoshta as Albin Kurti, duke rrezikuar zgjedhje në mars të vitit të ardhshëm, dhe në të njëjtën kohë duke dalë në shesh që katër komunat veriore nuk janë shliruar ashtu siç po thotë ai (Albin Kurti), ose të marrë opozita pushtetin dhe Albin Kurti të thotë: ‘Sa isha unë, komunat ishin të shliruara, e kur e morët ju, u zaptuan prapë’”, ka deklaruar ai.

Në lidhje me rezultatet e zgjedhjeve, Gjini ka shprehur shqetësimin e tij për performancën e AAK-së, duke theksuar se ata nuk janë të kënaqur me rezultatin e 7.06% të votave, duke theksuar se ky rezultat është shumë më i ulët se sa që ata kishin pritur. “Nuk jemi të kënaqur fare me këtë rezultat. Duhet të bëjmë analiza dhe të përmirësojmë veten sa më shumë që mundemi,” ka thënë Gjini. Ai ka theksuar se kjo është një mundësi për reflektim dhe për të punuar më shumë për të arritur rezultate më të mira në të ardhmen.

Ardian Gjini gjithashtu foli për koalicionin me NISM-en, duke thënë se ky koalicion nuk ka prodhuar efektin e pritur dhe se ky është një mësim për të ardhmen.
“Koalicioni me NISM-en nuk e ka prodhuar efektin që e kemi pritur,” theksoi ai, duke shtuar se mbledhja e votave nga dy ose më shumë parti nuk po sjell rezultatin që ka qenë i pritur dhe i dëshiruar.

Source: [Read more]

Shpërndaje në: