“Kemi pasur pritje më të mëdha”, Haziri: Duhet hetim i plotë për votat me postë

LAJME

“Kemi pasur pritje më të mëdha”, Haziri: Duhet hetim i plotë për votat me postë

Në Lidhjen Demokratike të Kosovës s’ka përçarje, thotë nënkryetari, Lutfi Haziri. Sipas tij, pakënaqësitë e fundit të shprehura nga anëtarë të Kryesisë janë më shumë për zhurmë politike. Megjithatë, të njëjtat ai nuk i konsideron si qesharake por që duhet diskutuar në organet e brendshme të partisë.

Ai thotë se kërkesa e ish kryeministrit Avdullah Hoti për lidership të ri në LDK ka qenë e paqartë dhe që nuk është ditur se çka nënkupton.

Përkundër kësaj, Haziri është kritik edhe për zyrtarë partiak që kanë siguruar mandatin e deputetit, por që sipas tij s’kanë sjellë asnjë votë përtej LDK-së. Mirëpo, ai nuk pranoi të flasë me emra se kush janë të njëjtit.

“Më së paku ai (Avdullah Hoti) është në pozitë të bëjë deklarata qesharake. Avdullah Hoti dhe shumica prej neve në LDK sillemi dhe punojmë si të përgjegjshëm, të urtë dhe të butë në qëndrimet tona, por të palëvizshëm dhe kokëfortë në bazë të parimeve politike që i kemi. Ne përfaqësojmë vlerat tona… Kjo është zhurmë politike dhe asgjë tjetër… LDK-ja ka nevojë me u mbështet dhe ruajt politikisht si organizim politik. Ne disa prej tyre LDK-në e kemi si familje politike, sepse kemi qenë dhe jemi idealistë politikë të lidhur si kërthiza me LDK-në. Kështu që në asnjë mënyrë nuk e pranoj zhurmën politike dhe s’lejoj me u konsumuar LDK-në politikisht. Kërkesa për lidership të ri, çka nënkupton? Nëse zotëri Abdixhiku në mbledhje ka thënë se jeni të gatshëm me thirr Kuvendin, pse nuk u thirr Kuvendi? Çka nënkupton lidership i ri, kryesi e re e LDK-së, kryetari i ri LDK-së? Krejt është në rregull nëse duhet me dal. Por në këtë proces politik LDK-ja nuk pranon zhurmën politike për të na dërguar në një hendek ku janë disa që po e mbrojnë dikë dhe janë dikush që po e sulmojnë dikë”, tha Haziri.

Haziri përmend emrin e Visar Azemit, kryetar i degës së LDK-së në Ferizaj dhe i cili si figurë e re ka rritur votën e LDK-së përtej bazës elektorale.

Mirëpo, të kundërtën e thotë për disa zyrtarë partiakë që kanë fituar ulëse në Kuvendin e Kosovës dhe sipas tij mburren se kanë marrë shumë vota. Por, Haziri deklaron se të njëjtit nuk janë sjellë asnjë votë përtej bazës elektorale të LDK-së.

“Për mua shumë më e rëndësishëm dhe vlerësuar janë disa emra që në LDK kanë hyrë në listë dhe s’kanë fituar ulësen e deputetit, por ka pasur guxim dhe ka ofruar emrin e tij dhe ka kontribuar. Ai është kontribut-dhënës dhe ka krijuar mundësinë që LDK-ja të fitojë 20 ulëse sesa ata që në LDK kanë fituar ulëse me shumë numra që kanë ditur ta menaxhojnë votën e brendshme të LDK-së. Ai ose ajo ka qenë më i zoti të menaxhojë votën e brendshme të LDK-së, por asnjë votë përtej LDK-së nuk e ka prurë. Zero votë ka prurë… Ka siguruar ulëse në LDK dhe asnjë votë jashtë LDK-së nuk e ka prurë. E kam për të reja dhe të vjetra. Të rejat kanë prurë vota përtej LDK-së. Çka ka prurë Visar Azemi në LDK? Ka prurë votë përtej LDK-së. Ka ardhur për herë të parë ka dalë në krye të strukturës së LDK-së në Ferizaj dhe ai është kontribut-dhënës më i madh në LDK sesa disa që kanë marrë ulëse në mënyrën dhe formën që ka ditur të menaxhojë, ka pasur kontakte dhe lidhje dhe ka menaxhuar votën e LDK-së. Madje, thotë kam marrë vota shumë. Çfarë vote, shumë? Hajde, i pjesëtojmë me dhjetë dhe shihe sa dalin. Ajo votë e brendshme të LDK-së dhe i atribuohet liderit të LDK-së”, shton ai.

“Ne kemi punuar, s’është që ka pasur pritje politike. Ne kemi punuar për rezultat më të mirë dhe mbështetje më të madhe qytetare. Angazhimi jonë ka qenë i pandalshëm, programi jonë ka qenë i punuar nga ekipe të mira dhe emra të njerëzve që kanë autorësi brenda dhe përtej Kosovës”, deklaron Haziri.

Në anën tjetër, sa i përket akuzave të LVV-së se LDK-ja ka manipuluar votat me postë nga diaspora, Haziri thotë se një gjë të tillë e kanë rrëzuar PZAP-i dhe Gjykata Supreme.

Mirëpo, Haziri thotë se ajo çka ka ndodhur në votat me postë nuk është e mirë dhe se organet e drejtësisë duhet ta zbardhin në tërësi këtë proces.

Kujtojmë, LDK në zgjedhjet e 9 shkurtit doli parti e tretë dhe Lumir Abdixhiku tha se nuk do të jep dorëheqje. Pas zgjedhjeve, ish-kryeministri Avdullah Hoti kërkoi lidership të ri duke shprehur haptas se është i pakënaqur me rezultatin zgjedhor, shkruan KosovaPress, transmeton Periskopi.

“LDK-ja ka nevojë për një lidership me qasje ekipore, që është gjithëpërfshirës, me orientime të qarta politike të qendrës së djathtë, që mbledh rreth vetes profesionistë dhe e rikthen LDK-në në epiqendrën e profesionistëve më të mirë të Kosovës, siç ka qenë LDK-ja,” kishte shkruar Hoti në Facebook.

Ai ka theksuar se personalizimi i fushatës zgjedhore, përbërja e listës, renditja e kandidatëve në listë, paraqitja dhe favorizimi medial i një liste të ngushtë të kandidatëve të LDK-së, si dhe çështje të tjera para dhe gjatë fushatës, kanë dëmtuar kohezionin e brendshëm partiak, me gjithë përpjekjet e të gjithë neve për t’i tejkaluar ato pakënaqësi.

Ndërsa, nënkryetarja e LDK-së Doarsa Kica-Xhelili e ka quajtur “kërkesë qesharake” deklarimin e Hotit për ndërrimin e lidershipit të partisë duke thënë se strukturat e LDK-së i kanë dhënë dhe i japin mbështetje të plotë Abdixhikut si kryetar i partisë./Periskopi/

Source: [Read more]

Shpërndaje në: