Kurti: Kur arsimi dhe biznesi bashkëpunojnë, ndodhin mrekulli !

LAJME

Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, mori pjesë në hapjen e Panairit Ndërkombëtar AGROKOS, panairit me traditë 24- vjeçare, i cili jo vetëm që lidh bizneset dhe produktet me konsumatorët, por krijon një urë të fortë midis teorisë dhe praktikës për studentët dhe të rinjtë.

Kryeministri tha se si Qeveri, në bashkëpunim me partnerë të ndryshëm që e mbështesin zhvillimin e bujqësisë, përpunimin e ushqimit dhe prodhimin e pijeve, Kosova po bëhet gjithnjë e më shumë tërheqëse për investitorët.

Sipas tij, investimet nga projektet strategjike të Qeverisë, të kombinuara me faktorë të tjerë mbështetës, po na drejtojnë te një e ardhmeje premtuese. Si faktorë mbështetës, ai veçoi stabilitetin institucional të vendit, rritjen mesatare ekonomike prej 6.2% mesatarisht në tri vitet e fundit, afërsia me tregjet e Evropës Perëndimore, zhvillimi i projekteve infrastrukturore në sektorët e transportit, përparimi i sektorëve si bujqësia, përpunimi i ushqimit dhe teknologjia informative, rinia e madhe, e talentuar dhe shumëgjuhëshe, si dhe energjinë e lirë elektrike e mungesën e taksave doganore për lëndë të parë dhe makineri prodhuese.

E rëndësishmja e këtij panairi, sipas kryeministrit Kurti, medoemos që ishte edhe roli i agrobiznesit në zhvillimin profesional të studentëve dhe të rinjve.

“Kur arsimi dhe biznesi bashkëpunojnë, ndodhin mrekulli: studentët përfitojnë aftësi praktike të vlefshme, ndërkaq bizneset fitojnë ide të freskëta dhe burime të reja pune. Sot, agrobiznesi nuk është më thjesht një fushë tradicionale; inovacioni, digjitalizimi dhe inteligjenca artificiale po ndryshojnë rrënjësisht mënyrën se si përparon bujqësia”, deklaroi ai.

Edhe përfshirja e grave në agrobiznes, është një aspekt tjetër i rëndësishëm, tha kryeministri Kurti, sepse gratë tona janë ndërmarrëse të shkëlqyera dhe përmes bizneseve të tyre të vogla, jo vetëm që fuqizojnë ekonominë lokale, por krijojnë zhvillim të qëndrueshëm në zonat rurale.

Në fund, kryeministri Kurti ftoi të gjithë që të shfrytëzojnë këtë panair për të krijuar lidhje të reja, për të ndarë ide dhe për të hulumtuar mundësitë për bashkëveprim të mëtejshëm. Ai cilësoi panairin AGROKOS si shembull i mirë se si biznesi, arsimi dhe inovacioni mund të bashkëpunojnë për të ndërtuar një të ardhme të ndritur për Kosovën.


Në këtë panair kryeministri Kurti shoqërohej nga zëvendëskryeministri, Besnik Bislimi, ministri i Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural, Faton Peci dhe zëvendësministri Imri Demelezi.

Shpërndaje në: