Maqedonci: Ka rrezik që grupe të armatosura mund ta përsërisin sulmin terrorist në Kosovë, ata trajnohen e zhvillojnë aktivitete në Serbi

LAJME

Ministri i Mbrojtjes, Ejup Maqedonci, ka thënë se ka rrezik potencial që grupe të armatosura të mbështetura nga strukturat në Serbi, mund ta përsërisin sulmin terrorist në Kosovë, me synime politike si ai i Banjskës së viti të kaluar.

Maqedonci në një intervistë për Ekonomia Online ka thënë se kjo mund të ndodh për faktin se grupet terroriste në krye me Milan Radoiçiqin, që kryen sulmin terrorist në Kosovë, enden të lirë, trajnohen e zhvillojnë aktivitete në Serbi.

Por, ministri thekson se në vend janë krijuar kushte për të parandaluar këto rreziqe, marr parasysh fuqizimin e institucioneve të sigurisë, shtrirjen administrative të vendit në katër komunat veriore e prezencën e shtuar të Policisë së Kosovës më veri.

Maqedonci ka shtuar se së fundi është shtuar edhe numri i trupave të KFOR-it përgjatë vijës kufitare me Serbinë pikërisht për të penguar futjen grupeve terroriste në Kosovë.

Duke pasur parasysh shtrirjen administrative të vendit tonë tani më edhe në katër komunat veriore të vendit tonë, gjithashtu prezencën e shtuar të Policisë së Kosovës në atë pjesë, ndalimin e aktiviteteve të ndryshme ilegale duke përfshirë edhe zyrat ilegale që funksionin në pjesën veriore të vendit tonë. Duke pasur parasysh që pas sulmit të 24 shtatorit pjesa më e madhe e grupit që drejtohej nga Radoiçiq janë larguar për në Serbi, normalisht rreziku brenda territorit tonë është zvogëluar. Por gjithmonë mbetet rrezik mundësia që grupe si grupi Radoiçiq, dhe vetë grupi Radoiçiq të zhvilloj ndonjë aktivitet të ngjashëm terrorist me synime politike, gjithmonë i mbështetur nga strukturat në Serbi. Përderisa grupi i Radoiçiqit dhe grupet tjera kriminale dhe terroriste qarkullojnë të lira në Serbia, për më tepër trajnohen dhe zhvillojnë aktivitetet atje, vlerësojmë që prapë mund të ketë rreziqe të ngjashëm. Por gjithashtu duhet theksuar edhe fakti që tani më janë krijuar shumë parakushte që kjo të mos ndodh dhe këto parakushte janë krijuar nga institucionet tona por edhe nga prezenca e shtuar e trupave të KFOR përgjatë vijës kufitare me Serbinë. Kohët e fundit është vërejtur një shtim i numrit të KFOR sidomos në brezin kufitar. Kjo është bërë pikërisht për të penguar futjen grupeve të tilla në Kosovë”, ka thënë ai.

Maqedonci ka thënë se Serbia vazhdon që të ketë qasje hegjemoniste në raport me Kosovën e me vendet e tjera fqinje.

Sipas tij, Serbia vazhdon të mbajë rreth 70% të kapaciteteve të saj ushtarake në jug dhe 48 baza të ushtrisë dhe gjandarmëris serbe përgjatë vijës kufitare me Kosovën.

“Thelbi i kërcënimit ushtarak të Serbisë është gjithmonë politik, Serbia po vazhdon të ketë qasje hegjemoniste në raport me Kosovën, por edhe me vendet e tjera fqinje. Kjo qasje shpesh po përkthehet në aktivitete të ndryshme si diplomatike, ekonomike të dezinformimit, gjithashtu edhe atyre ushtarake edhe mbështetjes së njësive jo konvencionale dhe grupeve terroriste siç ishte rasti i grupit të Radoiçiqit. Dhe Serbia Është duke vazhduar që të mbajë rreth 70 për qind të kapaciteteve të tyre në jugë të territorit të saj dhe 48 baza të përparme të ushtrisë dhe gjandarmëris serbe përgjatë vijës kufitare me Kosovën, por edhe vetë furnizimet me armatime që Serbia po pranon nga vendet e lindjes është një tregues i një qasje agresive të Serbisë në raport me fqinjët”, ka thënë ai.

Maqedonci theksoi se aktivitetet ushtarake të Serbisë, përfshirë blerjen e armëve dhe prodhimin e tyre, janë një kërcenim jo vetëm për Kosovën, por për të gjithë stabilitetin në Ballkan. Ai e lidh këtë militarizim të Serbisë me mbështetje nga Rusia, duke e cilësuar si një përpjekje për të destabilizuar rajonin dhe penguar integrimin e tij në BE dhe NATO.

Ministri garantoi se Kosova po forcon kapacitetet e saj ushtarake, jo për të sulmuar, por për të mbrojtur integritetin dhe sigurinë e qytetarëve të saj dhe sipas tij, ky fuqizim ushtarak bënë që të mos ndjejmë frike përballë këtyre kërcënimeve.

“Një pjesë ë këtyre kapaciteteve që ata po blejnë por edhe që po prodhojnë nuk janë kapacitete për mbrojte të territorit siç thirret shpesh presidenti  Vuçiq. Për shembull aeroplanët luftarak, janë kapacitet sulmues, por edhe dronët vetëvrasës që po prodhohen në fabrikat e Serbisë janë kapacitet sulmues. Normalisht që gjithë ky militarizim paraqet kërcenim jo vetëm për Kosovën, por për gjithë stabilitetin në Ballkan. Ky kërcënim vjen edhe si trimërim që Serbia po e merr nga federata Ruse por edhe miqtë e tjerë të saj më qëllim që të destabilizoj Ballkanin dhe të minoj proceset e integrimit të Ballkanit në BE dhe në NATO. Normalisht që vendi ynë si një vend demokratik nuk ka synim të ndërtoj kapacitet ushtarake për të sulmuar  as kënd dhe në këtë aspekt ne jemi duke u fuqizuar, por gjithmonë për të mbrojtur Kosovën, për të mbrojtur integritetin dhe territorin e saj, për të mbrojtur qytetarët tanë, pavarësisht përkatësisë etnike apo religjioze. Ky fuqizim na bënë që më të vërtet të mos ndjejmë frike përballë këtyre kërcënimeve por gjithmonë të jemi të matur dhe të kujdesshëm që ne të zhvillohemi, organizohemi dhe fuqizohemi për nevojat e mbrojtjes së vendit tonë”, ka thënë ai.

Shpërndaje në: