Mashtrimi i madh me vila druri, sekuestrohen pronat e kompanisë G&G Exclusive

LAJME

Një muaj prej kur Njësiti i hetimeve të përgjithshme në Prishtinë në koordinim me Prokurorinë Themelore, nisën hetimet ndaj kompanisë “1T Group Sh.p.k/G&G Exclusive” me zyrë në Çagllavicë të  Graçanicës, nën dyshimin se janë kryer veprat penale: Mashtrim- sanksionuar nga neni 323 si dhe shmangia nga tatimi, sanksionuar nga neni 307 të KPRK-se, prokuroria sot ka nxjerr vendim për ndalimin e përkohshëm të 24 pronave të paluajtshme dhe 11 objekteve (vila), për të cilat ka dyshim të bazuar se janë përfituar me vepër penale, transmeton IndeksOnline.

“Vlera e pasurisë së bllokuar llogaritet të jetë qindra mijëra euroshe dhe sipërfaqja totale e pronave të bllokuara përkohësisht është 55687 metra katrorë. Prokurori i Shtetit mbetet i përkushtuar në zbatimin e Ligjit dhe ndjekjen penale të kryesve të veprave penale”, thuhet në njoftimin e Prokurorisë Themelore.

Këto vepra penale dyshohet se janë kryer nga viti 2022 deri në gusht të viti 2024. Disa qytetarë dyshohet se u mashtruan nga pronari i kompanisë. Ata thonë se kanë paguar për ndërtimin e vilave të drurit, mirëpo ato nuk u ndërtuan asnjëherë.

“Ndonëse kemi disa ankues, është ngritur dyshimi se numri i personave që dyshohet të jenë të mashtruar është më i madh, andaj me autorizim nga prokurori ftojmë të gjithë qytetarët që mund të jenë të mashtruar nga kompania në fjalë të  paraqiten ne stacionin me te afërt policor”, thuhet në njoftimin e policisë./IndeksOnline/

Shpërndaje në: