Nazmije Demolli-Kastrati: Stop Festimit të Halloween-it. Rrezik për të ardhmen e fëmijëve

OPINION

Më shqetësojnë reagimet e disa prindërve që, kur afrohet Halloween-i, gjenden përballë një presioni të fëmijëve të tyre për të festuar. Shumë prindër thonë me vete: “Çfarë është kjo festë? Pse duhet t’i përshtatemi?” Por, për të mos ndarë fëmijët nga shokët, shpesh zgjedhin të thonë: “Hajt se, po ia blej një maskë” ose “Fëmijë janë, s’u bë nami.” Kjo qasje “hajt se” ka depërtuar thellë, duke u kthyer në një normë që pranohet pa shumë reflektim.

Halloween mund të duket si një gjë kalimtare, por me ritmin që po imponohet çdo vit, nuk do të jetë çudi nëse një ditë bëhet pjesë e pandashme e festimeve. Jam e shqetësuar që kjo festë, e cila bazohet në imazhe të shpërfytyruara, po zë vend gjithnjë e më shumë. Nëse kemi nevojë për një ditë të veçantë për fëmijët tanë, le të promovojmë një festë që përçon vlera pozitive, që nxit dashurinë, mirësinë dhe respektin.

Ftoj të gjithë prindërit të mos dorëzohen para presionit për të festuar diçka pa kuptim. Ne kemi një rol të madh në formimin e vlerave dhe karakterit të fëmijëve tanë. Nëse duam t’i rrisim me festa që kanë një domethënie të thellë kulturore, fetare apo historike, le të zgjedhim ato që vërtet kanë peshë dhe u japin vlera të qëndrueshme.

Të nderuar prindër, le të tregojmë me qëndrimet tona se çdo festë e ka një domethënie dhe ndikim të madh në formimin e mendësisë dhe karakterit të fëmijëve. Festa që zgjedhim të promovojmë sot ndikojnë në atë se kush do të jenë ata nesër.

Me respekt,
Nazmije Demolli-Kastrati
Koordinatore e NJKDNJ-së

Shpërndaje në: