Në intervistën për mediumin Al Jazeera, Kurti thotë se e ka pranuar Asociacionin “si pako”

LAJME

Kryeministri Albin Kurti e ka pohuar pranimin për zbatimin e Asociacionit të Komunave me Shumicë Serbe, por vetëm si ‘paketë’.

Në një intervistë për televizionin ndërkombëtar ‘Al Jazeera’, Kurti ka thënë se nuk është “kryeministër vetëm i shqiptarëve”, por i të gjithë komuniteteve etnike që jetojnë në Kosovë.

I pyetur nëse i ka thënë ‘po’ apo ‘jo’ Asociacionit, shefi i Qeverisë së Kosovës tha se e ka pranuar themelimin e tij, por në paketën e Marrëveshjes së Ohrit.

“Natyrisht, Asociacioni i Komunave me Shumicë Serbe është diçka që e kam trashëguar nga paraardhësit e mi. Sidoqoftë, kjo është pjesë e Marrëveshjes Bazike tani. Neni 7 thotë se ‘Komuniteti serb duhet të ketë vetëmenaxhim’. Në anën tjetër, neni 10 thotë se “të gjitha marrëveshjet paraprake të nënshkruara duhet të zbatohen”. Pra, unë nuk po e mohoj atë, sidoqoftë vetëm si pjesë e një pakoje të normalizimit të marrëdhënieve mes Serbisë dhe Kosovës me njohje reciproke.”

Nuk mund të zgjedhni nga 39 marrëveshjet paraprake, një që është e preferuara juaj, thuajse sikur të ishte një byfe suedeze, ku e zgjedhni ushqimin tuaj të preferuar, as ta vendosni para Marrëveshjes Bazike. Si paketë, unë thashë po”, tha ai.

Marrëveshja Bazë, e cila përfshin edhe obligimin për themelimin e këtij asociacioni, është arritur në shkurt të vitit të kaluar, por nuk ka gjetur zbatim.

Kosova dhe Serbia janë në negociata për normalizimin e marrëdhënieve qysh në vitin 2011.

Në videon më poshtë keni edhe intervistën e plotë:

Shpërndaje në: