Në orët e vona Kurti shkruan në ‘X’ për Ditën e Kushtetutës, Qeveria e tij mban rekordin për shkeljen e saj

LAJME

Në orët e vona Kurti shkruan në ‘X’ për Ditën e Kushtetutës, Qeveria e tij mban rekordin për shkeljen e saj

Sot shënohen 17 vjet nga miratimi i Kushtetutës së Republikës së Kosovës, dokumenti më i lartë juridik dhe politik i vendit. Kryeministri në detyrë Albin Kurti, ka shkruar për datën e 9 prillit në platformën ‘X’, shkruan Periskopi.

Kurti ka thënë se Kushtetuta mbron fuqishëm të drejtat e qytetarëve në vendin tonë, si dhe ka theksuar tutje se po vazhdohet mbrojtja dhe respektimin e saj.

“Në këtë përvjetor të miratimit të Kushtetutës së Kosovës, ne reflektojmë mbi një dokument që ka sanksionuar mbrojtje të fuqishme të të drejtave të njeriut për qytetarët e vendit tonë dhe ofron disa nga të drejtat më të gjera për pakicat në çdo demokraci, ndërsa ne vazhdojmë t’i mbrojmë dhe respektojmë ato.”, ka shkruar ai në ‘X’.

Megjithatë, ky akt themelor është cenuar në mënyrë të përsëritur, veçanërisht gjatë Legjislaturës së VIII-të të Kuvendit të Kosovës, e cila rezulton të jetë një nga periudhat me numrin më të madh të shkeljeve kushtetuese.

Kujtojmë se që nga hyrja në fuqi e Kushtetutës dhe themelimi i Gjykatës Kushtetuese, çdo qeveri dhe legjislaturë ka kontribuar në shkeljen e dispozitave kushtetuese, përmes miratimit të ligjeve dhe vendimeve që kanë dalë jashtë dispozitave të përcaktuara nga Kushtetuta dhe në kundërshtim me të. Megjithatë, Qeveria e drejtuar nga Lëvizja VETËVENDOSJE! dhe Kryeministri Albin Kurti, e kështu edhe Legjislatura e VIII-të, mban rekordin për numrin më të madh të ligjeve që janë konstatuar si të papajtueshme me aktin më të lartë juridik të vendit.

Në disa raste, Gjykata Kushtetuese konstatoi shkelje të Kushtetutës, duke i rrëzuar tërësisht disa ligje dhe vendime që binin ndesh me Kushtetutën. Në disa raste të tjera, vendimet e Gjykatës çuan në anulimin e pjesërishëm të dispozitave që nuk përputheshin me standardet kushtetuese, ndërsa për një numër çështjesh, ajo konstatoi se nuk pati shkelje kushtetuese, duke konfirmuar kështu kushtetutshmërinë e ligjeve dhe vendimeve të Kuvendit.

Vlen të theksohet se lidhur me këtë ditë Kurti nuk ka bërë ndonjë postim në platformat e tjera, përveç se në ‘X’./ PERISKOPI

Qeveria Kurti mban rekordin për shkeljen e Kushtetutës, disa ligje ia rrëzoi

Source: [Read more]

Shpërndaje në: