Nga 1 janari 2025 tatimi për pronat komerciale në Kosovë rritet 200 %

LAJME

Një rritje e lartë e tatimit në pronë po i pret të gjithë ata që kanë prona komerciale nga janari i vitit që vjen.

Me 1 janar të 2025-tës, sipas ligjit vlera e detyrimit tatimor për pronën në vlerë deri në njëqindmijë mund të variojë prej 0.10% deri 1%, nga 0.20% deri në 1%, për vlerën e pronave mbi njëqind mijë euro.

Për vlerën e pronave mbi pesë qind mijë aplikohet shkalla tatimore që mund të variojë prej 0.30% deri 1%.

0.40 deri 1% deri në 1 milion, kurse për vlerën e pronave mbi pesë milionë euro aplikohet shkalla tatimore mund të variojë prej 0.50% deri 1%.

Vlerësimin e pronave e ka bërë ministria e Financave, por shkalla tatimore do të vendoset nga kuvendet komunale.

Edhe nëse shkalla tatimore merret më e ulëta, përsëri do ketë rritje të mëdha të tatimit.

Në një llogaritje të tillë sipas Asociacionit të Komunave të Kosovës, për shembull nëse vlera e pronës është 7 milion euro, nga 11,900 euro i njëjti do paguaj 26.100 euro.

Kjo rritje sjell probleme të tjera, për të cilat tregon kryetari i AKK-së.

”Nëse këto fatura, i shkojnë bizneseve të Kosovës atëherë do të jetë një zinxhirë i dëmeve, sepse nëse kemi një pronë komerciale që i ka, një numër të vogël, të mesëm të madh të shitoreve, ata do të jenë të detyruar që t’I ngrisin qerat, në momentin që ngritën qerat, vjen pasoja tjetër ku mund të ngriten gjërat ushqimore, rrobat apo mund të zvoglohet numri i punëtorëve”, ka thënë Sazan Ibrahimi, Kryetar i Asociacionit të Komunave të Kosovës.

Për këtë kundër dolën edhe nga Aleanca Kosovare e Bizneseve.

Në Kosovë tatimit në pronë komerciale dhe private nga viti 2025 do të jetë me e larta në Ballkanin Perëndimor, ligji i ri për tatimin  në pronë, i miratuar vitin e kaluar do të ketë efekt në ngritjen të lartë të tatimit në pronë dhe Prona Komerciale nga viti i ardhshëm.  AKB e kundërshton  këtë ligj sepse do të ketë  ngritje të faturave të tatimit në pronë komerciale  200-300%,kjo është një barrë e lartë për bizneset dhe investitorët më  ndikim negative të drejtpërdrejt në zhvillimin ekonomik të Kosovës.- Aleanca Kosovare e Bizneseve.

Megjithatë, anëtari i komisionit për Buxhet dhe Financa, Ferat Shala thotë që tashmë ligji është në fuqi, dhe nuk mund të zhbëhet.

”Po tash ligji është në fuqi, dhe tash kjo çështje nuk mund të zgjidhet ndryshe vetëm me aspekt ligjor, dhe në këtë legjislaturë është krejtësisht e pamundur që ne ta kthejnë në pikën që realisht duhet të kthehet”, ka thënë Ferat Shala, Anëtar i komisionit për Buxhet dhe Financa.

Ligji hyn në fuqi me 1 janar të 2025.

Shpërndaje në: