Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani ka biseduar për hapat përpara drejt formimit të qeverisë me të ngarkuarën me punë në ambasadën amerikane, Anu Prattipati.
Gjatë takimit, gjithashtu është diskutuar edhe për zhvillimet e fundit dhe situata e sigurisë në Kosovë.
“Në takim u diskutuan zhvillimet e fundit në vend, situata e sigurisë në Kosovë dhe rajon, si dhe hapat përpara drejt formimit të qeverisë. Gjithashtu, biseda u fokusua në angazhimet konkrete pas vizitave të fundit në Kosovë, përfshirë ato të Sekretarit të Përgjithshëm të NATO-s, Përfaqësuesit Special të BE-së për Dialogun, vizitat e përfaqësuesve ushtarak të SHBA-ve, si dhe vizitën e Presidentit të Letonisë, që u zhvilllua gjatë ditës së sotme”, thuhej në një njoftim.
Ndër të tjera, në takim u diskutua edhe për thellimin e bashkëpunimit në mes të Kosovës dhe Shteteve të Bashkuara të Amerikës, në përputhje me objektivat e përcaktuara nga Presidenti Donald Trump dhe administrata e tij.
Sipas njoftimit, presidentja Osmani dhe Prattipati u ndalën veçanërisht te zgjerimi i bashkëpunimit ekonomik dhe forcimi i partneritetit në fushën e mbrojtjes.
“Takimi riafirmoi rëndësinë e marrëdhënieve të ngushta mes Kosovës dhe SHBA-së dhe angazhimin për forcimin e partneritetit strategjik ndërmjet dy vendeve”, thuhej në njoftim.
Shpërndaje në: