Me 377 vota pro, 191 kundër dhe 51 abstenime, Parlamenti Evropian ka miratuar rezolutën e cila kërkon që vendet e Bashkimit Europian të heqin të gjitha kufizimet në mënyrë që Ukraina të përdorë armët perëndimore kundër objektivave brenda territorit rus.
Parlamenti nënvizon faktin se dërgesat e pamjaftueshme të municioneve dhe kufizimet në përdorimin e tyre rrezikojnë të kompensojnë ndikimin e përpjekjeve të bëra deri më sot dhe shpreh keqardhjen për rënien e vëllimit të ndihmës ushtarake dypalëshe për Ukrainën nga vendet e BE-së.
Rezoluta u bën thirrje vendeve anëtare të BE-së që të ruajnë dhe zgjerojnë politikën e sanksioneve të Këshillit kundër Rusisë, Bjellorusisë dhe vendeve dhe subjekteve jashtë BE-së që i ofrojnë Rusisë teknologji ushtarake dhe me përdorim të dyfishtë. Eurodeputetët dënojnë transferimin e fundit të raketave balistike nga Irani në Rusi dhe bëjnë thirrje për sanksione të forta kundër Teheranit dhe Koresë së Veriut për përfshirjen e tyre në mbështetjen e luftës së Rusisë kundër Ukrainës.
Ata gjithashtu duan të shohin më shumë individë dhe entitete kineze të shtohen në listën e sanksioneve të BE-së, si dhe masa më të ashpra për të trajtuar sistematikisht çështjen e anashkalimit të sanksioneve nga kompanitë me bazë në BE, palët e treta dhe vendet jo-BE.
Shpërndaje në: