Kryeprokurori i Prokurorisë Themelore në Ferizaj, Burim Çerkini, bëri të ditur të mërkurën se rreshteri i Policisë së Kosovës, Muhamet Lika, u vra nga dy persona në shkallët e ndërtesës ku banon teksa po kthehej nga puna, dhe se autorët e dyshuar ndodhen në arrati.
Duke folur në një konferencë për media në Prishtinë, Çerkini tha se autoritetet janë duke punuar për të zbardhur motivet dhe arsyet e vrasjes.
“Nga të dhënat që kemi, dy personat kanë ikur në këmbë nga vendi i ngjarjes. Nuk kemi më shumë informata. Nuk kemi ndonjë tregues që rreshteri Lika ka pasur ndonjë problem personal që do të na bardhte motivin e vrasjes së tij”, tha Çerkini.
Më herët, Policia e Kosovës ka bërë të ditur se ai ishte gjetur i plagosur rëndë në hyrjen e ndërtesës ku banonte, të martën rreth orës 23:00.
Polici i ndjerë ishte transportuar për në Qendrën e Mjekësisë, në Kaçanik, por nuk kishte arritur t’u mbijetonte plagëve të pësuara.
Ministri i Punëve të Brendshme i Kosovës, Xhelal Sveçla, ka dënuar vrasjen e policit, duke thënë se “sulmi ndaj çdo pjesëtari të Policisë së Kosovës është sulm i drejtpërdrejtë ndaj ndaj rendit, institucioneve dhe sigurisë së Republikës së Kosovës”.
“Ftoj dorasin apo dorasit që sa më parë të dorëzohen në organet e rendit, meqë i gjithë aparati shtetëror pa hezitim dhe pa kursim është i mobilizuar të zbulojë dhe arrestojë të gjithë ata që janë përfshirë në këtë vrasje”, ka deklaruar ai.
Edhe Sindikata e Policisë së Kosovës ka dënuar më herët vrasjen e policit, duke thënë se “ky akt i rëndë është një atentat i drejtpërdrejtë ndaj sigurisë publike, ligjit dhe vetë shtetit të Kosovës”.
“Çdo sulm ndaj një zyrtari policor është sulm ndaj Republikës së Kosovës! Policia e Kosovës është shtylla kryesore e rendit dhe sigurisë në vend. Prekja e saj është përpjekje për të minuar themelet e shtetit tonë dhe nuk do të tolerohet”, thuhet në reagimin e SPK-së.
Ditëve të fundit, numri i vrasjeve në Kosovë ka shënuar rritje. Në fund të marsit u regjistruan katër vrasje.
Më 23 mars, një19-vjeçar u vra në Vushtrri nga një bashkëmoshatar i tij. Po në Vushtrri, një ditë më vonë një burrëvraunjë grua 42-vjeçare. Dorasi, 58 vjeç, më pas vrau veten.
Ndërkaq, mbrëmjen e 25 marsit, një burrë u vra në Prishtinë, ndërkaq një tjetër mbeti i plagosur, pasi, sipas Policisë, ata u sulmuan nga dy persona të maskuar dhe të armatosur.
Autoritetet e vendit kanë kërkuar veprime të menjëhershme për adresimin e rasteve të vrasjeve.
Source: [Read more]
Shpërndaje në: