Presidenti i Rusisë, Vladimir Putin, e ka urdhëruar ushtrinë ruse të hënën ta rrisë numrin e trupave për 180.000 sosh, për ta arritur një numër të përgjithshëm të tyre prej 1.5 milion.
Putini e dha këtë urdhër ndërkohë që lufta e Moskës në Ukrainë po shkon drejt vitit të tretë.
Urdhri i Putinit, i publikuar në faqen zyrtare të Qeverisë ruse, do të hyjë në fuqi më 1 dhjetor. Me këtë urdhër, numri i përgjithshëm i personelit të ushtrisë ruse do të arrijë në gati 2.4 milionë, përfshirë 1.5 milion trupa. Ai e ka urdhëruar Qeverinë t’i sigurojë fondet e nevojshme për ushtrinë.
Putin kishte dhënë urdhër për rritjen e numrit të trupave ruse edhe dhjetorin e kaluar, kur përmes një dekreti kishte kërkuar që numri i përgjithshëm i personelit të ushtrisë ruse të rritej në 2.2 milionë, përfshirë 1.32 milion trupa.
Ushtria ruse është duke e kryer një ofensivë në lindje të Ukrainës, ku trupat e saj kanë çarë përpara dukshëm në muajt e fundit.
Në qershor, Putini tha se gati 700.000 trupa ruse janë të përfshira në atë që Kremlini e quan “operacion special ushtarak” në Ukrainë.
Pasi i thirri 300.000 rezervistë për t’u përballë me kundërofensivën ukrainase në pranverën e vitit 2022, autoritetet ruse vendosën që t’i mbushin radhët e trupave që luftojnë në Ukrainë me ushtarë vullnetarë, të cilët janë joshur kryesisht nga pagat e larta.
Shumë komentues lufte kanë theksuar se Kremlini ka ngurruar të thërrasë më shumë rezervistë, duke iu druajtur destabilizimit në vend sikurse kishte ndodhur më 2022, kur qindra mijëra njerëz ikën nga Rusia për ta shmangur thirrjen në luftë.
Mungesa e personelit ushtarak është përmendur më së shumti si arsyeja kryesore për suksesin e inkursionit të Ukrainës në rajonin Kursk të Rusisë, i cili nisi më 6 gusht.
Kremlini nuk ka dashur t’i rizhvendosë trupat nga lindja e Ukrainës dhe për këtë është mbështetur në përforcime nga zonat e tjera për ta frenuar inkursionin ukrainas.
Ministria e Mbrojtjes e Rusisë tha të hënën se i ka rimarrë nën kontroll dy fshatra nga forcat ukrainase në Kursk. /REL
Shpërndaje në: