ShBA-ja përmend Kosovën për ekstradimin e vëllezërve Kutleshi

LAJME

Departamenti Amerikan i Drejtësisë (DAD) ka publikuar një listë të shteteve me të cilat Shtetet e Bashkuara kanë bashkëpunuar për ekstradimin e personave të dyshuar për vepra penale, në mesin e të cilave gjendet edhe Kosova.

Përfshirja e Kosovës në këtë listë vjen pas ekstradimit të vëllezërve Ardit dhe Jetmir Kutleshi, 26 dhe 28 vjeç, të cilët ishin arrestuar si pjesë e një rrjeti të dyshuar për krime kibernetike.

Të dy janë shtetas të Kosovës dhe ishin në kërkim nga autoritetet amerikane në lidhje me një faqe të paligjshme në internet, e njohur si “Rydox”.

“Zyra e Divizionit Penal për Zhvillimin, Ndihmën dhe Trajnimin Prokurorial të Jashtëm (OPDAT) gjithashtu ka ofruar ndihmë me ekstradimet nga Kosova”, thuhet në njoftimin e DAD.

Përveç vëllezërve Kutleshi, autoritetet kishin identifikuar edhe një administrator të tretë të faqes, Shpend Sokoli, i cili ishte arrestuar në Shqipëri nga SPAK – Organi i Posaçëm Kundër Korrupsionit. Ai pritet të përballet me akuza në Shqipëri.

Në listën e vendeve me të cilat SHBA ka bashkëpunuar për ekstradime përfshihen edhe shtete si Kanadaja, Kolumbia, Gjermania, ndërsa përfshirja e Kosovës vlerësohet si një hap i rëndësishëm në bashkëpunimin ndërkombëtar kundër krimit të organizuar dhe kibernetik./Periskopi/

Source: [Read more]

Shpërndaje në: