Me katër pikë që ndajnë të dyja skuadrat në krye të tabelës, Barcelona dhe Real Madridi do të garojnë ‘kokë më kokë’ edhe këtë sezon për titullin e La Ligas.
Pasi dy ekipet shkëlqyen në Ligën e Kampionëve në mesjavë, me ‘Los Blancos’ që fituan me rikthim rezultati 5-2 ndaj Borussia Dortmundit ndërsa Barcelona ‘shkatërroi’ Bayernin me rezultat 4-1.
Të besuarit e Hansi Flick momentalisht po udhëheqin në elitën e futbollit spanjoll me nëntë fitore pas 10 ndeshjeve të para, ndërsa ata të Carlo Ancelottit vazhdojnë të mbajnë rekordin si të pamposhtur në La Liga së bashku me fqinjin Atletico Madrid.
Real Madridi si kampion në fuqi i Spanjës dhe Evropës, ka një mundësi jo vetëm për të rrëzuar Barcelonën nga kreu, por edhe për të bërë histori.
Ata janë vetëm një ndeshje larg për të barazuar rekordin si ekipi me serinë më të gjatë pa humbje në histori të La Ligas, që momentalisht e mban Barcelona e Ernesto Valverdes.
Madrilenët nuk janë mposhtur në një ndeshje të ligës që nga 25 shtatori i vitit të kaluar, atëherë kur pësuan humbje me rezultat 3-1 ndaj Atletico Madridit. Seria e tyre pa humbje për momentin qëndron në 42 ndeshje, me 31 fitore dhe 11 barazime.
Real Madridi ka një rekord të shkëlqyer ndaj Barcelonës së fundmi, duke fituar secilin nga katër takimet e fundit midis tyre në të gjitha garat. Ata nesër (e shtunë) e kanë mundësinë të marrin pesë fitore radhazi në ‘El Clasico’ vetëm për herë të dytë në 59 vitet e fundit, pasi paraprakisht e kishin bërë mes viteve 2020 dhe 2022.
Përkundër formës së jashtëzakonshme të Barcelonës, është Real Madridi ata që po cilësohen si favorit sipas një simulimi nga superkompjuteri i Opta-s.
Ekipi i Ancelottit doli fitimtar në 45.6 për qind të rasteve në 10 mijë simulimet që u bën nga superkompjuteri, me Barcelonën që fitoi 31.0 për qind ndërsa 23.4 përqind parashikuan barazim.
Shpërndaje në: