Mbi 90 pjesëtarë të forcave paqeruajtëse të KFOR-it u plagosën me 29 maj në sulmin e protestuesve serbë që po kundërshtonin dërgimin e kryetarëve shqiptarë në ndërtesat e komunave veriore, Zveçan, Zubin Potok, Leposaviq dhe Mitrovicë e Veriut, pas zgjedhjeve të 23 prillit të vitit 2023, që u bojkotuan nga partitë politike serbe.
Deri tani dhjetë persona janë arrestuar në lidhje me trazirat e dhunshme të 29 majit të vitit të kaluar, por një pjesë e tyre po mbrohen në gjendje të lirë. Vetëm dy prejt tyre janë dënuar për këtë sulm, shkruan gazeta online Reporteri.net.
Gjykata Themelore në Prishtinë të mërkurën e dënoi me me tetë muaj heqje lirie dhe një gjobë prej 10 mijë eurosh, një pjesëtar të komunitetit serb Lazar Dejanoviç, nën akuzat për përfshirje në sulmet e dhunshme kundër forcave paqeruajtëse të NATO-s në fund të majit të vitit të kaluar.
Gjykata Themelore në Prishtinë tha se i akuzuari Dejanoviç, “arriti marrëveshje me prokurorinë për pranimin e fajësisë” lidhur me veprat penale sulm ndaj personit zyrtar dhe pjesëmarrje në turmë që kryen vepre penale dhe huliganizëm”.
Akuza ndaj tij u bë publike një ditë më parë dhe sipas saj “i pandehuri me datën 29 maj 2023, afër objektit të Komunës së Zveçanit, në koordinim me të pandehur të tjerë të nacionalitetit serb nga Kosova dhe Serbia, përmes përdorimit të dhunës i kanë sulmuar dhe seriozisht i kanë kanosur ushtarët e misionit paqeruajtës të KFOR-it, si dhe disa pjesëtarë të Policisë së Kosovës”.
Po ashtu në fund të muajit qershor një tjetër qytetar i komunitetit serb u dënua me 15 muaj heqje lirie dhe një gjobë prej 12 mijë eurosh, lidhur me përfshirjen në atë sulm.
Gjykata Themelore në Prishtinë e ka dënuar me 15 muaj burgim dhe 12 mijë euro gjobë, Nenad Orloviç, i cili po akuzohej për sulm ndaj KFOR-it dhe Policisë së Kosovës afër objektit të Komunës së Zveçanit më 29 maj 2023.
Për veprën penale “Sulm ndaj personit zyrtar”, i akuzuari Orloviç u dënua me 15 muaj burgim”, ndërsa për veprën penale “Pjesëmarrja në turmë që kryen vepër penale dhe huliganizëm” u dënua me 12 mijë euro gjobë.
… dënim do të ekzekutohet menjëherë pas plotfuqishmërisë së këtij aktgjykimi, derisa koha e kaluar në masën e paraburgimit nga data 23 qershor 2023 do t’i llogaritet në dënimin e shqiptuar me burgim. Ndërsa, për veprën penale të kryer po ashtu në bashkëkryerje pjesëmarrje në turmë që kryen vepër penale dhe huliganizëm nga neni 404 paragrafi 1 lidhur me nenin 31 të Kodit penal të Republikës së Kosovës ia vërteton dënimin me burgim në kohëzgjatje 6 muaj po konform nenit 44 paragrafi 1 i Kodit Penal të Republikës së Kosovës. Me pëlqimin e të akuzuarit dënimi me burgim i zëvendësohet me dënimin me gjobë në shumë prej 12 mijë euro”, tha gjykatësja Musliu Selimaj.
Sipas aktakuzës së ngritur më 11 qershor 2024 thuhet se i akuzuari Orloviç më datë 29 maj 2023, në intervalin kohor duke filluar nga ora 06:00 e deri në orët e mbrëmjes, në perimetrin në të cilin gjendet objekti i Komunës së Zveçanit, në koordinim me shumë të pandehur të tjerë të nacionalitetit serb nga Kosova dhe Serbia, kanë marrë pjesë aktive në grupin e personave në kryerjen e veprave penale serioze, në atë mënyrë që përmes përdorimit të dhunës i kanë sulmuar dhe seriozisht i kanë kanosur ushtarët e misionit paqeruajtës të KFOR-it, duke përdorë mjete të forta, mjete shpërthyese të improvizuara si dhe armë të zjarrit, nga të cilat janë lënduar të paktën 30 (tridhjete) pjesëtarë të forcave paqeruajtëse të KFOR-it, 3 (tre) nga ta nga predhat e armëve të zjarrit, si dhe disa pjesëtarë të Policisë së Kosovës, të cilët kane qenë në detyre zyrtare për të garantuar rendin dhe qetësinë publike për të gjithë qytetarët në atë pjesë, nga të cilat veprime kanë rrezikuar seriozisht dhe trupin e këtyre personave zyrtare, e të cilëve edhe u kanë shkaktuar lëndime të rënda trupore.
Me këto veprime i akuzuari Orloviç në bashkëkryerje e ka kryer veprën penale “Sulmi ndaj personit zyrtar”, nga neni 402 par. 5 lidhur me par. 2 dhe 1, e lidhur me nenin 31 të KPRK-së.
Sipas dispozitivit të dytë të njëjtës aktakuzë thuhet se i akuzuari Orloviç në datën dhe kohën e njëjtë si më lartë në koordinim me shumë të pandehur të tjerë të nacionalitetit serb nga Kosova dhe Serbia, kanë marrë pjesë aktive në grupin përkatësisht turmën e personave me qëllim të kryerjes së veprave penale serioze, përmes përdorimit të dhunës kanë tentuar që të pengojnë vendosjen e rendit kushtetues të Republikës së Kosovës në komunat veriore të vendit, ashtu që edhe peërkundër urdhrave të ushtareve të misionit paqeruajtës të KFOR-it për shpërndarje të qetë të turmës dhe refuzim të hyrjes në objektin e komunës, të pandehurit kishin filluar që të ushtrojnë dhunë të pakontrolluar, me mjete të forta, mjete shpërthyese të improvizuara si dhe me armë zjarri, nga të cilat janë lënduar të paktën 30 (tridhjete) pjesëtarë të forcave paqeruajtëse të KFOR-it, 3 (tre) nga ta nga predhat e armëve të zjarrit, si dhe duke shkaktuar dëme materiale të konsiderueshme në automjetet e KFOR-it, Policisë së Kosovës, si dhe në veturat e gazetarëve të cilët kanë mbuluar ngjarjet e kësaj dite, të cilat përfshijnë djegien e plotë të disa automjeteve ose dëmtimin fizik në masë të madhe, duke shkaktuar rrezik në shkallë të gjerë për jetën dhe trupin e shumë njerëzve dhe pasurisë.
Me këto veprime i akuzuari Orloviç në bashkëkryerje e ka kryer veprën penale “Pjesëmarrja në turmë që kryen vepër penale dhe huliganizmi, nga neni 404 (par. 1) lidhur me nenin 31 të KPRK-së.
Shpërndaje në: