Aktualisht, në vendin tonë, situata epidemiologjike me koronavirus dhe situata me virusin e Nilit, është e qetë, deklaruan përgjegjës mjekësorë nga Klinika Infektive në QKUK. Në këtë klinikë, është i shtrirë vetëm një pacient me COVID-19.
Koronavirusi është ende prezent në vendin tonë dhe tashmë është i pranishëm si sëmundje e rëndomtë në popullatë, ani pse situata epidemiologjike në vend, aktualisht paraqitet e qetë. Kështu ka thënë për Radio Kosovën drejtori i Klinikës Infektive, Arben Vishaj.
Ai tha se gjatë këtij muaji ka rënë numri i të infektuarve me COVID-19 dhe se deri me tani, kanë vetëm një pacient të shtrirë me koronavirus.
“Në këto javët e fundit, ne fillimin e shtatorit ka një rënie të kërkesës për hospitalizim. Tashmë kemi vetëm një pacient të hospitalizuar dhe ky është një lajm i mirë sepse nuk kemi më shumë raste siç patëm në muajin gusht dhe në gjysmën e muajit gusht”, tha Vishaj për Radio Kosovën.
Vishaj ka folur edhe për situatën e infeksionit me ethe të Nilit perëndimor e që nuk ka qenë i përhapur më parë në vendin tonë.
“Ethet e Nilit perëndimor është një infeksion viral i cili shkaktohet nga virusi i Nilit perëndimore ashtu i emëruar. Deri me tani gjatë dy muajve të fundit kemi pasur tre pacientë me këtë virus. Tash e kemi një pacient që e kemi dërguar për diagnostikim serologjik dhe ka rezultuar pozitiv dhe ka manifestime të lehta klinike, nuk ka formën e humbjes së vetëdijes”, tha ai.
Sipas Vishajt, çdo qytetar që ka simptoma të COVID-19 apo të etheve të nilit perëndimor, duhet të konsultohet me mjekët në qendrat e mjekësisë familjare, dhe nëse situata është më delikate, atëherë detyrimisht të kërkojnë ndihmë në Klinikën Infektive.
Shpërndaje në: